Skuadra e Ligës Premier, Nottingham Forest, ka bërë një ofertë zyrtare për të huazuar sulmuesin e Napolit, Lorenzo Lucca, deri në fund të sezonit.
Ky hap vjen pasi Forest synon të forcojë repartin ofensiv në mes të një sezoni të vështirë për skuadrën angleze.
Sipas raportimeve të gazetarit, Fabrizio Romano, Napoli ka rënë dakord të huazojë Luccan te Nottingham për një shumë prej 1 milion eurosh, me opsion blerjeje prej 35 milion eurosh.
Për më tepër, Forest ka rënë dakord të mbulojë të gjithë pagën e sulmuesit deri në fund të sezonit, që do të thotë se shpenzimet e klubit anglez për këtë transferim në janar do të kalojnë 2 milion euro.
Lucca gjithashtu ka pasur bisedime me disa klube të tjera, përfshirë Benfica, Al-Hilal dhe një nga klubet e tij të mëparshme, Pisa, duke e vendosur lojtarin përballë një zgjedhjeje të rëndësishme për karrierën e tij.
Burimet bëjnë me dije se prioritet i sulmuesit italian mbetet të qëndrojë në Serie A, por oferta e Forest mbetet shumë tërheqëse, sidomos për mundësinë e një aventure në Ligën Premier.
Tani vendimi përfundimtar i takon Luccas, i cili duhet të vendosë nëse do të pranojë sfidën angleze apo do të presë një mundësi tjetër në Itali.
Pisa mund të ofrojë vetëm një huazim deri në fund të sezonit, ndërsa ofertat nga jashtë i garantojnë më shumë stabilitet financiar dhe një eksperience të re në një nga ligat më të forta evropiane.
Burimi: botasot.info


