kerkohet perfshirje me e madhe e te rinjve ne tregun e punes 6a352cb38f6ee

Kërkohet përfshirje më e madhe e të rinjve në tregun e punës

June 19, 2026
min lexim

Mungesa e përvojës edhe praktikat e papaguara janë disa nga sfidat me të cilat të rinjtë e Kosovës përballen sot.

Në këtë drejtim, për të përmirësuar punësimin e të rinjve, Organizata SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë ka prezantuar politikat rekomanduese për përmirësimin e punësimit të të rinjve në Kosovë.

Përmes një aktiviteti të mbajtur në Prishtinë, në kuadër të projektit “YEEP II – Fuqizimi dhe aftësimi i të rinjve përmes mundësive të reja”, u vu në pah nevoja për orientim më të mirë në karrierë, rritjen e mundësive për praktika profesionale dhe përfshirjen më të madhe të të rinjve në tregun e punës.

Drejtoresha nacionale e SOS Fshatrave të Fëmijëve në Kosovë, Nezahate R. Salihu, tha se projekti ka nisur në vitin 2020 dhe ka synuar përmirësimin e mundësive të punësimit për të rinjtë në situata të cenueshme.

Ajo theksoi se përtej statistikave, projekti ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e vetëbesimit dhe aftësive të të rinjve, duke u ofruar atyre perspektivë më të mirë për të ardhmen.

Sipas saj, rekomandimet e prezantuara janë rezultat i përvojave praktike të të rinjve dhe konsultimeve me institucionet, sektorin privat dhe shoqërinë civile.

“Ngjarja e sotme është një rezultat i një pune shumëvjeçare që SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë po zhvillojnë për fuqizimin ekonomik dhe social të të rinjve. Projekti YEP ka filluar në vitin 2020 dhe është financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe nga Zyra Ndërkombëtare e SOS Fshatrave të Fëmijëve, ndërsa zbatohet nga SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë. Ky projekt është një projekt rajonal dhe ka për qëllim përmirësimin e mundësisë së punësimit dhe përfshirjes në tregun e punës të të rinjve të cilët janë të cenueshëm… Gjatë këtyre viteve kemi trajnuar qindra të rinj në shkathtësi jetësore, punësim dhe ndërmarrësi. Janë realizuar mijëra sesione mentorimi dhe këshillimi në karrierë, janë mbështetur iniciativa të reja biznesore, janë krijuar mundësi për praktikë profesionale dhe qindra të rinj sot janë aktivë në tregun e punës”, tha Salihu.

Këshilltarja politike në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arta Berisha, vlerësoi se orientimi në karrierë duhet të trajtohet si e drejtë themelore e secilit të ri.

“Jemi në fillimet e hartimit të strategjisë së re për arsimin ku aty do të ketë kështu një element të integruar brenda edhe kjo fushë, domethënë, është një çështje që duhet me u artikuluar dhe me u parë me aktivitete, prej planifikimit të këtyre aktiviteteve të cilat duhen me me mbërritur. Pastaj, edhe jemi në fazën e fillimit të procesit të rishikimit të kurrikulave, domethënë gjithçka fillon prej kurrikulës në fakt, fillon edhe prej mësuesit dhe mësueses e nxënësit që është pjesëmarrës aty por pa kurrikulën, pa tekstet mësimore nuk e arrin objektivin e saj përfundimtar. Është lajm i mirë që megjithatë ka ecuri të, çdo herë po shohim që ka progres edhe të pjesëmarrjes së të rinjve, ndoshta nuk është në shkallën që ne dëshirojmë, duhet me e maksimizuar këtë, po megjithatë, ka shifra të mira të cilat ia vlejnë edhe me u theksuar shembujt e mirë me u vazhduar, shembuj të tjerë të mirë të cilat kanë edhe shtetet e tjera me parë qysh me i maksimizuar, e për këtë tabelë në vitin 2021 kanë qenë rreth 28.000 të punësuar ndërsa kur flasim tash, deri në fund të 2025-ës kanë mbërritur në 60.000, kjo domethënë është dyfishim i të rinjve që është një gjë shumë e mirë edhe duhet me e vazhduar tutje. Një nga masat që e ka pasur efektin e vet ka qenë kjo e Superpunës, e cila ka bërë me u punësuar 23.000, kështu është puna kur shteti ta krijon kontaktin, ta lehtëson në fakt kontaktin”, u shpreh Berisha.

Ndërkaq, drejtori i Departamentit për Politika Sociale në Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës, Mentor Morina, tha se institucionet janë duke punuar në legjislacion të ri që synon kalimin nga mbështetja pasive financiare drejt aktivizimit të përfituesve në tregun e punës.

“Ajo çka është e rëndësishme nga perspektiva institucionale, aktualisht si ministri jemi të fokusuar në krijimin e legjislacionit të mirëqenies sociale dhe programet e mbrojtjes sociale… që me pas një qasje holistike në aspektin jo vetëm ta shohim personin, familjen, individin në një mbështetje financiare po kemi edhe komponente të tjera në aspektin e ofrimit të shërbimeve, integrimit në tregun e punës dhe nga një pasivitet në aktivizim. Këtë e synon edhe legjislacioni i ri se praktika na ka treguar, sidomos tek një numër i familjeve të cilat janë përfituese në skemën e ndihmës sociale, ku edhe të rinjtë e të rejat janë pjesë e tyre, realisht kanë mbetur pasiv në aspektin e aktivizimit në tregun e punës me vitet e tëra”, tha Morina.

E, në emër të të rinjve pjesëmarrës në projekt, studentja e psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, Aulona Grashita, ngriti shqetësimet lidhur me mungesën e përvojës së punës dhe praktikat e papaguara.

“Disa sfida me të cilat përballen të rinjtë sot është mungesa e përvojës edhe praktikat e papaguara. Sot është shumë e vështirë me gjet punë, sepse kudo që shkojmë për me kërku punë, kërkohet përvojë, po qysh me e gjet këtë përvojë ku shumica e praktikave, për të mos thënë të gjitha, janë pa pagesë. Dihen edhe barrierat financiare dhe logjistike, ku në një kohë ku ekonomia është në krizë, qysh mundet një student apo një nxënës me ndjek praktikën, ku i duhet me udhëtu sepse jo të gjithë jetojnë në Prishtinë? Gjithashtu, gjatë praktikës duhet edhe me u ushqy dhe ne të gjithë i dimë çmimet e sotme. Kjo praktikë kushton shumë edhe jo të gjithë kanë mundësi për me i përballu. Prandaj, unë sot kërkoj nga institucionet që të jenë më korrekt me praktikat edhe punësimin. T’i orientojnë të rinjtë qysh nga shkolla fillore drejt karrierës duke u ofruar informacion për çdo profesion. T’u mundësojnë të gjithëve praktika, qoftë me pagesë ose qoftë duke u mbulu shpenzimet që dalin nga praktikat. Edhe të mos ketë nevojë për lidhje për me u bë pjesë e praktikave, por secili me e pas të njëjtën mundësi.”, tha Grashita.

Ndryshe, në këtë aktivitet u theksua se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, organizatave joqeveritare, sektorit privat dhe vetë të rinjve mbetet kyç për krijimin e politikave efektive që lehtësojnë kalimin nga arsimi në punësim dhe rrisin mundësitë për integrimin e të rinjve në tregun e punës

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

netanyahu paralajmeron nuk do te tolerojme sulme ndaj ushtareve izraelite 6a352853a5c9f
Lajmi i mëparshëm

Netanyahu paralajmëron: Nuk do të tolerojmë sulme ndaj ushtarëve izraelitë

si u pastruan parate denoncimi i berishes grupi qe trafikoi 50 ton kokaine bleu mbi 15 mije meter katrore toke ne jale 6a352d2f6a3a0
Lajmi i radhës

“Si u pastruan paratë”/ Denoncimi i Berishës: Grupi që trafikoi 50 ton kokainë bleu mbi 15 mijë metër katrorë tokë në Jalë

Të fundit nga

ShkoLartë