Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar lidhur me situatën rreth konstituimit të Kuvendit, duke thënë se ai mund të konstituohet edhe pas tejkalimit të afatit kushtetues 30-ditor, por se kjo çështje kërkon qartësi juridike.
KDI ka vlerësuar se konstituimi i Kuvendit është i domosdoshëm për funksionimin e institucioneve dhe tejkalimin e krizës institucionale.
Megjithatë, sipas këtij instituti, duhet të sqarohet nga Gjykata Kushtetuese se cilat janë pasojat juridike të mosrespektimit të afatit 30-ditor dhe çfarë efekti do të ketë konstituimi i Kuvendit pas skadimit të këtij afati.
“Kjo është çështje që duhet të trajtohet përmes mekanizmave kushtetues dhe nga institucionet kompetente”, thuhet në reagimin e KDI-së.
Nga ky KDI-ja kanë kërkuar që deputetët dhe palët e autorizuara të kërkojnë interpretim lidhur me statusin juridik të konstituimit të Kuvendit pas skadimit të afatit, si dhe vlefshmërinë e veprimeve që do të ndërmerren pas konstituimit.
KDI ka theksuar se kjo çështje nuk lidhet vetëm me krizën aktuale, por edhe me funksionimin e rendit kushtetues të Kosovës në të ardhmen.
“Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për institucione që funksionojnë, por kanë po aq nevojë që këto institucione të funksionojnë brenda rendit kushtetues”, përfundon reagimi.
Burimi: botasot.info


