Të dhëna të reja kanë zbuluar se deri në katër satelitë nga konstelacioni gjigant Starlink bien çdo ditë në Tokë, teksa kompania SpaceX vazhdon të zgjerojë rrjetin e saj të internetit orbital.
Sipas astronomit Jonathan McDowell nga Qendra Harvard-Smithsonian për Astrofizikë në SHBA, gjatë vitit 2025 është regjistruar një mesatare prej një deri në dy satelitësh që dalin nga orbita çdo ditë, ndërsa ky numër pritet të rritet në rreth pesë në ditët në vijim.
Pamje të këtyre satelitëve që digjen gjatë rënies së tyre janë bërë virale në rrjetet sociale, duke shkaktuar shqetësime për sigurinë dhe ndikimin mjedisor të këtij fenomeni.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se satelitët Starlink janë projektuar të digjen plotësisht në atmosferë, përpara se të arrijnë sipërfaqen e Tokës. Jetëgjatësia e tyre është rreth pesë vjet, pas së cilës ata hyjnë në fazën e deorbitimit.
Pavarësisht se rreziku për njerëzit është minimal, shkencëtarët paralajmërojnë se procesi i djegies mund të ketë pasoja afatgjata për atmosferën. Dr. McDowell theksoi se gjatë shkrirjes lëshohen grimca të oksidit të aluminit, të cilat mund të ndikojnë në ngrohjen atmosferike dhe në cilësinë e shtresës së ozonit.
“Ne ende nuk e dimë plotësisht se çfarë ndodh me këto grimca në shtresat e larta të atmosferës. Por me mijëra satelitë që pritet të bien çdo vit, efekti kumulativ mund të jetë i rëndësishëm”, tha McDowell.
SpaceX ka lëshuar deri tani mbi 6,000 satelitë Starlink, dhe synon të arrijë deri në 42,000 njësi në orbitë në dekadën e ardhshme, për të siguruar mbulim global të internetit.
Burimi: botasot.info


