Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka komentuar çështjen e Badenterit në Kuvend, duke deklaruar se në raste të caktuara deputetët e Levicës bashkojnë votat me ato të BDI-së kundër ligjeve që, sipas tij janë në interes të shqiptarëve.
Duke folur në emisionin “N’Dritë” në Alsat-M, Kasami theksoi se parimi i Badenterit nuk nënkupton vetëm votën e deputetëve shqiptarë, por përfshin edhe votat e përfaqësuesve të komuniteteve të tjera.
“Badenteri në Kuvend nuk është vetëm vota e shqiptarëve, por është vota e komuniteteve. Në këtë rast nuk është se opozita e ka shumicën e votave shqiptare, por ju ndihmojnë deputetët e Levicës, të cilët bashkojnë votat e tyre me votat e BDI-së. Jo detyrimisht Badenteri përfaqëson vetëm të drejtat e shqiptarëve”, deklaroi Kasami.
Me këtë deklaratë, Kasami vuri në dukje se votimi sipas parimit të Badenterit duhet parë në kontekstin e përfaqësimit të të gjitha komuniteteve, e jo vetëm të votave të deputetëve shqiptarë.
Burimi: alfax.mk


