Autoritetet amerikane kanë urdhëruar pezullimin e fluturimeve në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas një problemi në komunikim që ka prekur qendrat e kontrollit të trafikut ajror. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka marrë vendimin për ndalimin e fluturimeve për arsye sigurie, ndërsa teknikët kanë nisur hetimet për të identifikuar shkakun e problemit, shkruan BBC, transmeton ‘Bota sot’.
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, ka konfirmuar se problemi ka prekur të gjitha qendrat e kontrollit të trafikut ajror përgjatë rrugëve ajrore në SHBA. Ai ka bërë të ditur se teknikët e FAA-së po punojnë për zgjidhjen e situatës dhe se autoritetet do të publikojnë përditësime të menjëhershme sapo të kenë informacione të reja.
Përmasat e ndërprerjes janë reflektuar edhe në trafikun ajror ndërkombëtar. Sipas platformës së gjurmimit të fluturimeve Flightradar24, rreth 3 mijë e 100 avionë ndodheshin në ajër dhe kishin si destinacion aeroportet amerikane, ndërsa asnjë avion i ri nuk po lejohej të ngrihej në atë moment. FAA ka bërë të ditur se fluturimet ndërkombëtare që vinin drejt SHBA-së do të trajtoheshin rast pas rasti.
Ndërkohë, pasojat janë ndier edhe në aeroportet kryesore amerikane. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Anxhelosit (LAX), pasagjerët që kishin ateruar kanë mbetur të bllokuar brenda avionëve, pasi nuk po lejoheshin të lëviznin drejt portave të terminalit. Një pasagjer që kishte udhëtuar nga Newark i ka thënë CBS News se avioni nuk mund të shkonte te porta e caktuar, pasi një tjetër fluturim që duhej të ngrihej nuk po lejohej të largohej.

Situatë e ngjashme është raportuar edhe në Austin, ku pasagjerët që sapo kishin ateruar janë udhëzuar të qëndronin në vend dhe të prisnin, pasi nuk mund të largoheshin nga avioni.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të plota për natyrën e defektit apo kohën kur pritet të rikthehet normaliteti në trafikun ajror amerikan.
Burimi: botasot.info


