kanadaja nen pushtetin e flakeve mbi 800 vatra aktive zjarri 6a59312b203f9

Kanadaja nën “pushtetin” e flakëve, mbi 800 vatra aktive zjarri

July 16, 2026
min lexim

Më shumë se 800 zjarre pyjore vazhdojnë të digjen në Kanada, ndërsa tymi i tyre ka përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit në disa rajone të vendit dhe në veri të Shteteve të Bashkuara.



Autoritetet amerikane kanë lëshuar alarme për cilësinë e ajrit në disa shtete, duke u bërë thirrje banorëve të kufizojnë aktivitetet në ambiente të hapura.

Sipas Qendrës Kanadeze Ndëragjencore të Zjarrit Pyjor, aktualisht janë aktive 857 zjarre, përfshirë 23 vatra të reja të regjistruara gjatë ditës së enjte. Sistemi Kanadez i Informacionit për Zjarret në Natyrë bën të ditur se shumica e tyre vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit.

Programi amerikan i Indeksit të Cilësisë së Ajrit ka klasifikuar cilësinë e ajrit si “të rrezikshme” në pjesë të shteteve të Miçiganit dhe Minesotës. Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së (NOAA) njoftoi se alarmet përfshijnë rajonin e Midwest-it të Sipërm, Liqenet e Mëdha dhe verilindjen e vendit.

Re të dendura tymi, të shkaktuara kryesisht nga zjarret në veriperëndim të Ontarios, kanë mbuluar qytete si Thunder Bay dhe Toronto, ndërsa tymi është përhapur edhe mbi Liqenet e Mëdha dhe deri në Nju Jork, duke krijuar qiell të mjegullt dhe duke rritur përqendrimin e ndotësve në ajër.

Meteorologët parashikojnë stuhi në Ontario gjatë ditëve në vijim, por sasia e reshjeve pritet të jetë e pamjaftueshme për të ndikuar ndjeshëm në shuarjen e zjarreve.

Ndërkohë, erërat veriperëndimore pritet të vazhdojnë të transportojnë tymin drejt shteteve veriore të SHBA-së edhe gjatë fundjavës, me shqetësime se ai mund të ndikojë edhe në New Jersey, ku do të zhvillohet finalja e Kupës së Botës. Një ndryshim i drejtimit të erës në fillim të javës së ardhshme pritet të përmirësojë gradualisht cilësinë e ajrit në jug të kufirit.

Sipas kompanisë zvicerane të monitorimit të cilësisë së ajrit IQAir, qyteti i Detroitit aktualisht ka cilësinë më të keqe të ajrit në botë, i ndjekur nga Minneapolis dhe Toronto.

Situata ka nxitur reagime politike në SHBA. Katër ligjvënës republikanë nga shteti i Miçiganit i kanë dërguar një letër të hapur kryeministrit kanadez Mark Carney, duke kërkuar masa më efektive për menaxhimin e zjarreve dhe duke shprehur pakënaqësinë për përsëritjen e problemit për të tretin vit radhazi.

Nga ana tjetër, ambasadori amerikan në Kanada, Pete Hoekstra, vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve në përballimin e zjarreve, duke theksuar se SHBA dhe Kanada do të vazhdojnë të koordinojnë përpjekjet për menaxhimin e emergjencave të përbashkëta.

Përveç ndotjes së ajrit, zjarret kanë detyruar qindra banorë të komuniteteve indigjene të Kombeve të Para në Ontarion verior të evakuohen. Autoritetet lokale raportojnë dëme të konsiderueshme në banesa dhe ndërtesa, ndërsa një video e publikuar së fundmi tregoi një tren mallrash të rrethuar nga flakët në Ontario.

Hekurudha Kombëtare Kanadeze bëri të ditur se të gjithë punonjësit e bllokuar u shpëtuan pa lëndime dhe se operacionet hekurudhore në rajon janë pezulluar përkohësisht.

Burimi: opinion.al

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

ilir hasani bllokuam seancen e kuvendit nuk lejojme votim pa u perfshire ligji per perfaqesimin e drejte 6a591f2e66260
Lajmi i mëparshëm

Ilir Hasani: Bllokuam seancën e Kuvendit, nuk lejojmë votim pa u përfshirë ligji për Përfaqësimin e Drejtë

kosova ne ministerialin e organizuar nga marco rubio konjufca flet per rreziqet nga terrorizmi politik 6a5935b70e905
Lajmi i radhës

Kosova në ministerialin e organizuar nga Marco Rubio, Konjufca flet për rreziqet nga terrorizmi politik

Të fundit nga

ShkoLartë