Babai i Elijonës ka tërhequr vëmendjen e publikut së fundmi, pasi është shfaqur në një lidhje live në rrjetin social TikTok për të diskutuar me ndjekësit rreth rrugëtimit të së bijës së tij në spektaklin televiziv Big Brother VIP Kosova 4.
Gjatë bisedës, ai foli për eksperiencën e saj në format, mbështetjen që po merr dhe sfidat që ka hasur brenda shtëpisë më të famshme në vend.
Megjithatë, një moment i veçantë nga kjo paraqitje live ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet. Në një pjesë të transmetimit, ai dëgjohet duke përdorur gjuhë ofenduese ndaj këngëtarit Labinot Rexha, duke u shprehur: “Ka edhe ca bullgarë aty që kanë mbet hala, që s’e dinë as mirë shqipen me e fol…”.
Kjo deklaratë u interpretua nga shumë përdorues si një tallje e drejtpërdrejtë me origjinën e artistit nga Rahovec, gjë që nxiti kritika dhe debat të fortë online.
Komentet në rrjetet sociale nuk kanë munguar, ku një pjesë e publikut e konsideroi deklaratën të papërshtatshme dhe ofenduese, ndërsa të tjerë e panë si reagim emocional të një prindi që po mbron vajzën e tij.
Pavarësisht polemikave, vëmendja mediatike rreth situatës ka rritur edhe më shumë interesin për zhvillimet e fundit në reality show.
Burimi: botasot.info


