Blerina Gjylameti, drejtuesja e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) që nuk shënoi asnjë rezultat në sigurinë ushqimore që është dhe një nga pikat kryesore të procesimit së negociatave me BE-në, ka dhënë dorëheqjen nga detyra, në kuadër të lëvizjeve të kërkuara nga kryeministri Edi Rama për drejtuesit e institucioneve në varësi të ministrive.
Dorëheqja e saj vjen pas urdhrit të kryeministrit, i cili të enjten pasdite u kërkoi ministrave dorëheqjen e drejtuesve të agjencive shtetërore, si në Tiranë, ashtu edhe në rrethe.
Sipas burimeve qeveritare, drejtuesit që preken nga kjo nismë do të vijojnë të qëndrojnë në detyrë, pasi faza e parë e procesit parashikon vetëm formalizimin e dorëheqjeve përmes një shkrese zyrtare.
Në fazën e dytë pritet të analizohet performanca e secilit drejtues që ka paraqitur dorëheqjen, përpara se të vendosen hapat e mëtejshëm. Deri më tani, qeveria nuk ka dhënë një koment zyrtar për këtë valë dorëheqjesh.
Në total, janë më shumë se 130 drejtues të agjencive shtetërore në nivel qendror dhe lokal që pritet të paraqesin dorëheqjet e kërkuara.
Nisma e kryeministrit Rama synon rishikimin e drejtimit të institucioneve shtetërore, ndërsa faza e ardhshme pritet të përqendrohet te vlerësimi i performancës së drejtuesve në kuadër të parimit të meritokracisë në administratën publike.
Burimi: botasot.info


