Inter vazhdon marshimin e sigurt në Serie A, duke konfirmuar veten si skuadra më konstante e kampionatit.
Fitorja e fundit ka lejuar zikaltërit të krijojnë një distancë të rëndësishme ndaj ndjekësve direkt, Milanit dhe Napolit, duke forcuar pozitat në krye të renditjes.
Të dhënat flasin qartë për një ekip solid, me pak hapa fals dhe një vazhdimësi që bën diferencën në garën për titull.
Trajneri Kristian Kivu ka ditur të menaxhojë mirë grupin, duke shfrytëzuar edhe periudhën e fundit për të rigjeneruar skuadrën pas një serie ndeshjesh të ngjeshura.
Në kampionat, Interi shfaqet i sigurt, me një identitet të qartë loje dhe një ekuilibër mes fazës sulmuese dhe asaj mbrojtëse, elemente që e bëjnë favoritin kryesor për Scudetton.
Situata ndryshon ndjeshëm në Champions League, ku rrugëtimi evropian po rezulton shumë më i ndërlikuar. Tri humbje radhazi ndaj kundërshtarëve të nivelit të lartë si Atletiko Madrid, Liverpul dhe Arsenal kanë komplikuar ndjeshëm objektivin e kualifikimit direkt në fazën e 1/8-ave. Edhe një fitore e mundshme në Dortmund ndaj Borusias mund të mos mjaftojë për të siguruar një vend mes tetë më të mirëve. Në ditët në vijim, fokusi i Interit do të jetë i dyfishtë.
Në Serie A, transfertat ndaj Kremonese dhe Sassuolo përfaqësojnë teste të rëndësishme për të ruajtur avantazhin, përpara sfidës së madhe kundër Juventusit. Ndërkohë, në Europë, zikaltërit kërkojnë reagim për të shpëtuar sezonin kontinental.
Kampionati duket në kontroll, por Champions mbetet prova e vërtetë e maturisë së këtij Interi. Zikaltrit shiheshin padyshim si një prej skuadrave favorite për tu kualifikuar mes 8 më të mirave në Champions, por 3 humbjet radhazi ndaj Atletikos, Liverpulit dhe Arsenalit, kthyen zikaltrit me këmbë në tokë.
Në Champions Inter duhet të bëjë më mire sigurisht, nëse kërkon të jetë sërish protagoniste, sikundër ka bërë në 3 edicionet e fundit.
Burimi: botasot.info


