Milani vazhdon të ndjekë me ngulm mesfushorin shqiptar Ardon Jashari, aktualisht pjesë e Club Brugge, dhe konfirmimi i fundit vjen pikërisht nga drejtori sportiv i kuqezinjve, Ighli Tare. Gjatë një konference për shtyp, Tare foli hapur për situatën dhe për dëshirën e klubit që të finalizojë marrëveshjen për 21-vjeçarin.
“Djali dëshiron të luajë për ne,” u shpreh Tare para gazetarëve, duke lënë të kuptohet se lojtari tashmë është i bindur për projektin e Milanit dhe ka dhënë pëlqimin e tij personal për kalimin në “San Siro”. “Por ne duhet të respektojmë dinamikën dhe zgjedhjet e Club Brugge, me të cilët jemi në kontakt të vazhdueshëm. Besoj se kemi bërë një ofertë të rëndësishme dhe shpresoj që kjo histori të përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme.”
Milani ka shfaqur interes konkret për Jasharin që prej ditëve të para të hapjes së merkatos dhe, siç është raportuar më parë, ka pasur disa raunde bisedimesh midis palëve, të cilat janë vlerësuar si “pozitive”. Kuqezinjtë shpresojnë të mbyllin operacionin brenda ditëve të ardhshme, në mënyrë që lojtari të jetë i disponueshëm për fazën përgatitore të sezonit nën drejtimin e Massimiliano Allegrit.
Për momentin, topi është në fushën e Club Brugge, që ende nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare, por sinjalet nga ambientet e klubit belg sugjerojnë se një marrëveshje nuk është e largët.
Burimi: botasot.info


