Ndërsa fillon periudha kualifikuese për Lojërat Olimpike Los Angeles 2028, trajneri i xhudos së Kosovës, Driton Kuka, mbetet figura kyçe mbi të cilën rëndojnë pritjet e një vendi të tërë. Në Kampin Stërvitor Olimpik të Mittersill-it, njeriu që ka udhëhequr Kosovën drejt pesë medaljeve olimpike, përfshirë tri të arta, reflekton mbi rrugën e deritanishme dhe sfidat që e presin derisa flet për faqen zyrtare të Unionit Evropian të Xhudos.
“Ne, si Kosovë, me një bazë të vogël dhe me një numër të vogël atletësh, duhet të ndërtojmë Ferrarin nga një atlet i vetëm”, thotë Kuka, duke e përmbledhur filozofinë e tij në një metaforë që tashmë është bërë sinonim i suksesit kosovar në xhudo. “Është shumë e vështirë të krijosh edhe jetën normale, edhe jetën e një atleti të nivelit të lartë.”
Duke folur për objektivat drejt LA2028, Kuka shprehet realist, por edhe ambicioz. “Për kualifikimin, kemi tre atletë të nivelit të lartë që u kualifikuan për në Paris. Nëse Distria, Fazliu dhe Akili janë mirë me shëndet, kualifikimi olimpik është i sigurt”, thekson ai, duke shtuar se po punohet intensivisht edhe me brezin e ri. “Po përpiqemi të zhvillojmë atletë të rinj, po bëjmë eksperimente me disa prej vajzave, po ndryshojmë kategori peshe. Përveç këtyre treve, kemi edhe tre ose katër atletë të rinj që mund të jenë në rrugën e kualifikimit për në Los Angeles.” Ai nënvizon se çdo cikël olimpik kërkon metoda të reja: “Nëse e krahasoj veten si trajner për Rion, Tokion dhe Parisin, jam përmirësuar në çdo cikël. Nuk mund të arrish rezultate duke përdorur të njëjtat metodologji gjatë gjithë kohës.”
Një nga vendimet strategjike të fundit ka qenë përfshirja e një trajneri japonez në ekipin e Kosovës. Kuka e shpjegon këtë hap si domosdoshmëri për zhvillimin e mëtejshëm. “Ajo që shoh te atletët nën 18 vjeç është se duhet ta përmirësojmë ne-wazën. Për këtë arsye fola me Federatën dhe Ministrinë, dhe ky është një projekt i mbështetur institucionalisht”, shprehet ai. Sipas tij, përvoja japoneze do të jetë një vlerë e shtuar edhe për trajnerët vendorë: “Majlinda dhe trajnerët e tjerë kanë nevojë për këtë përvojë. Ne-waza është edhe një armë e fortë e Norës, prandaj besoj se kombinimi i ekspertizës japoneze me përvojën tonë do ta ndihmojë shumë brezin e ri.”
Kuka nuk fsheh se pjesa më e vështirë e punës së tij është menaxhimi i jetës së atletëve përtej tatamit. “Ndonjëherë dua t’u imponoj disiplinë të hekurt, por herë të tjera ndihem keq sepse dua që ata ta përjetojnë jetën në një moshë të re”, pranon ai. “Ka raste kur u them gjëra që nuk i ndiej plotësisht në zemër, por e di se janë të domosdoshme për karrierën e tyre.” Megjithatë, kur vjen momenti i dyshimit, ai kthehet te rezultatet: “Kur i numëroj pesë medaljet olimpike, them me vete: ndoshta kanë humbur diçka, por kanë fituar shumë – për veten, për familjet e tyre dhe për një vend të vogël që sot njihet në botë përmes xhudos.”
Duke folur për presionin e jashtëzakonshëm që mbart si trajner i vetëm i medaljeve olimpike të Kosovës, Kuka është i sinqertë: “Kanë qenë 16 vjet me stres të madh. Të jesh trajneri i ekipit të vetëm që ka fituar medalje olimpike për vendin është shumë e vështirë.”
Megjithatë, ai e ka pranuar realitetin e sportit elitar. “Edhe nëse një ditë nuk fitojmë medalje, kjo është normale. Kur sheh vende si Spanja, me mijëra atletë dhe dekada pritje për një medalje, e kupton sa e vështirë është.”
Për Kukën, rruga drejt LA2028 nuk është vetëm synim për medalje të reja, por edhe ndërtim i një sistemi që do të zgjasë: “Qëllimi im është të ndërtoj një ekip të ri që do ta ndjekë këtë rrugë edhe për Lojërat Olimpike 2032 dhe 2036. Sepse ndërtimi i një Ferrari nuk është kurrë punë e shpejtë”, thotë ndër të tjera Kuka.
Burimi: botasot.info


