Struga ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit urban dhe shëndetësor, me nisjen e fazës së parë të zëvendësimit të rrjetit të ujësjellësit, një projekt kyç për përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve. Lajmin e ka bërë të ditur zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, përmes një statusi në facebook, të shoqëruar me një video përshkruese nga terreni.
“Struga jonë, vendi i bukurisë dhe qetësisë, do të ketë ujë të pastër, të sigurt dhe të shëndetshëm,” shkruan Mexhiti.
Në këtë mesazh simbolik dhe emocional, ai thekson se ky projekt nuk është vetëm ndërhyrje teknike, por investim për jetën dhe mirëqenien e çdo familjeje në Strugë. Përmes një paralelizmi poetik me liqenin e Strugës, Mexhiti shpreh vizionin për një qytet ku jeta është po aq e pastër dhe e qetë sa natyra përreth.
“Si liqeni i saj i kaltër, që çdo mëngjes zgjohet i qetë dhe i ndritshëm, ashtu duam të jetë edhe jeta në Strugën tonë: e pastër, e qetë, e sigurt,” përfundon ai.
Videoja që shoqëron statusin paraqet pamje nga vendi i punimeve dhe nga lagjet që do të përfshihen në fazën e parë të projektit, duke ilustruar qartë fillimin e një procesi të rëndësishëm që synon të sjellë ndryshim konkret në jetën e përditshme të qytetarëve struganë.