Nesër në të gjithë Italinë janë planifikuar greva dhe protesta të mëdha, të nxitura nga rritja e kostos së jetesës dhe devijimi i fondeve publike drejt qëllimeve ushtarake.
Sindikatat kërkojnë rritje pagash për të përballuar inflacionin, ndërsa punonjësit e porteve po organizohen njëkohësisht kundër luftës, raporton Euronews.
Priten ndërprerje të konsiderueshme në shkallë kombëtare, pasi sindikata Unione Sindacale di Base u ka bërë thirrje punonjësve si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat që të hyjnë në grevë.
Një protestë qendrore do të zhvillohet në Romë, ndërsa studentët pritet gjithashtu të dalin në rrugë në të gjitha qytetet kryesore italiane. Për më tepër, sindikatat Cobas, Adl, Clap dhe Sial kanë bërë thirrje për një grevë të përgjithshme duke përjashtuar megjithatë sektorin e transportit.
Protestat përqendrohen te rritja e kostos së jetesës, e cila, sipas sindikatave, po e bën gjithnjë e më të vështirë për njerëzit që të mbulojnë shpenzimet bazë. Një tjetër pikë kontestimi janë shpenzimet ushtarake.
Greva pritet të shkaktojë ndërprerje të mëdha në transport: shërbimet hekurudhore do të pezullohen nga ora 21:00 e së enjtes deri në orën 20:59 të së premtes, ndërsa greva në sektorin e aviacionit do të zgjasë gjatë gjithë ditës së premte.
Gjithashtu, të premten, punonjësit e porteve do të organizojnë një aksion global kundër tregtisë së armëve, politikave të riarmatimit dhe militarizimit të porteve.
Organizatorët deklarojnë se punonjës nga më shumë se 100 porte në 17 vende dhe katër kontinente i janë bashkuar kësaj mobilizimi. Në Itali, do të zhvillohen protesta në portet e Xhenovas, Livornos, Triestes, Civitavecchias, Ankonës, Ravenës dhe Gioia Tauros.
Një nga kërkesat kryesore të USB-së është përshtatja e pagave me koston e jetesës. Kjo përfshin rikthimin e mekanizmit “scala mobile” – një sistem që dikur i rregullonte pagat automatikisht në përputhje me normat e inflacionit.
Sindikata kërkon gjithashtu masa për uljen e çmimeve të produkteve bazë ushqimore, faturave të shërbimeve publike dhe qirave, si dhe uljen e TVSH-së për mallrat thelbësore. USB-ja argumenton se qeveria po shpenzon tepër për ushtrinë, ndërsa financimi për kujdesin shëndetësor, arsimin dhe shërbimet e tjera publike mbetet i pamjaftueshëm.
Burimi: botasot.info


