Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ka theksuar se mungesa e Italisë nga një diskutim për paqen në Mesdhe do të ishte “politikisht e pakuptueshme” dhe në kundërshtim me frymën e Kushtetutës italiane.
Gjatë fjalës së tij në Dhomën e Deputetëve, Tajani u shpreh se refuzimi i luftës si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve është një parim themelor që Italia e ka inkorporuar në Nenin 11 të Kushtetutës së saj.
Tajani po ashtu komentoi pjesëmarrjen e Italisë në Bordin e Paqes si vëzhgues, me ftesë nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump. “Qeveria e ka konsideruar të përshtatshme të pranojë ftesën e administratës amerikane për të marrë pjesë në takimin e parë të Bordit të Paqes si vëzhgues,” tha Tajani, duke shtuar se ky vendim është një “zgjidhje e ekuilibruar që respekton kufizimet tona kushtetuese.”
Zëvendëskryeministri theksoi se objektivi i këtij angazhimi është i qartë: “Krijimi i kushteve për arritjen e dy shteteve të afta për të bashkëjetuar në paqe dhe siguri.”
Ai vuri në dukje se angazhimi i Italisë ka qenë gjithmonë i bazuar në një dialog të vazhdueshëm me Izraelin, Autoritetin Palestinez dhe të gjithë partnerët kryesorë të rajonit. “Ne kemi mbajtur një kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me këta aktorë në muajt e fundit,” shtoi ai.
Burimi: opinion.al


