E veshi pallton e shefes së prokurores, e bashkë me të edhe përgjegjësinë për të udhëhequr me njërin nga organet më të rëndësishme të hetuesisë. Duke filluar nga sot, Iskra Haxhi Vasileva e mori drejtimin e Prokurorisë publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në moshën 43-vjeçare, ajo bëhet drejtuesja më e re në historinë e këtij institucioni, pasi ka bërë betimin para Këshillit të Prokurorëve publikë. Emri i saj u bë i njohur kryesisht përmes angazhimit të saj në disa çështje të bujshme që lidhen me korrupsionin e niveleve të larta.
“Betohem se do të kryej funksionin si prokurore publike, do ta respektoj Kushtetutën e RMV, ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara sipas Kushtetutës…”, tha Iskra Haxhi-Vasileva
Drejtuesja e re trashëgon jo vetëm një post, por edhe çështje të pazgjidhura, tema të ndjeshme dhe raste që kërkojnë reagim nga ana e prokurorisë. Ajo drejton lëndën që lidhet me 350,000 eurot e gjetura në zotërim të gjykatësit të apelit, Gjoko Ristov, si dhe lëndën e ryshfetit kundër ish-drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, Vase Anakiev. Ajo po ashtu zhvillon hetime ndaj ish-drejtorit të Doganave, Stefan Bogoev, ndërsa më herët është marrë me lëndën kundër ish-kryetarit të komunës së Novo Sellos, Boro Stojçev, lidhur me incidentin me marihuanën. Haxhi Vasileva ishte gjithashtu prokurore kur nisi çështja kundër kardiologut Zhan Mitrev.
“Ju i thoni pozitë e nxehtë, unë do ti thosha me përgjegjësi dhe jam e vetëdijshme me çfarë do të merrem dhe ajo që është detyra jonë. Do të përpiqemi të veprojmë në mënyrë më efikase me ndjekje direkte të veprave penale, atje ku më së shumti vlen nëse mund ta them e të shprehem ashtu, në ato lëndë që e tangojnë interesin publik dhe neve në përgjithësi”, tha Iskra Haxhi-Vasileva
Javët e fundit ka pasur diskutime publike lidhur me hyrjen e “Alta Bank” në Maqedoni për të cilën përgjigjet.
“Nëse ka indicie të forta ose baza ligjore, këto janë sigurisht çështje që po ndiqen me vëmendje, përveç hulumtimeve gazetareske që na ndihmojnë, deri sa të zbulojmë diçka në atë moment do të angazhohemi edhe sipas zërave në opinion do nisim të ndërmarrim masa”, deklaroi ajo
Një sfidë tjetër ka të bëjë me çështjen e prokurimit të naftës së rëndë (mazutit), e cila ka shkaktuar reagime të forta politike. Vasileva, e cila shërben si prokurore që nga viti 2009, në detyrën e saj të re do të punojë së bashku me 11 prokurorë të tjerë.
Burimi:TV21


