Ish punonjësi i OpenSea, Nathanial Chastain, është dënuar me tre muaj burg për një skemë të tregtimit të brendshëm të NFT-ve.
Ai u gjend fajtor për mashtrim dhe pastrim parash ndërsa ka përdorur informacione konfidenciale lidhur me NFT-të për përfitim financiar.
Në 2021, një përdorues i X (ish-Twitter) pretendoi se Chastain po blinte NFT përpara se publiku të kishte mundësi ta bënte. Chastain ishte vetë personi që përzgjidhte NFT-të që do të shfaqeshin në faqen kryesore të OpenSea, dhe akuzohej për shitjen e tokenëve që bleu paraprakisht për fitim përpara se të bëhen të disponueshme publikisht për të gjithë përdoruesit.
OpenSea pranoi se Chastain kishte ndjekur një skemë të tillë dhe tha se do të ndalonte punonjësit të përdorin informacione konfidenciale për tregtimin e NFT-ve.
Së bashku me dënimin me burg, Chastain duhet të shërbejë tre muaj qëndrim në shtëpi dhe tre vite lirim me kusht. Ai duhet të paguajë 50 mijë dollarë gjobë dhe të rikthejë Ethereum që përfitoi nga tregtimi i paligjshëm. /PCWorld Albanian
BURIMI: PCWORLD.AL