Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se “nuk i intereson” nëse Irani merr pjesë në Kupën e Botës 2026 këtë verë. Komentet e Trump vijnë pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, ndërsa Irani është kundërpërgjigjur duke ndërmarrë sulme ndaj shteteve aleate të SHBA-së në Gjirin Persik, në një konflikt që po përshkallëzohet.
SHBA është bashkë-organizatore e Kupës së Botës, e cila zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik, së bashku me Kanadanë dhe Meksikën. “Nuk më intereson aspak”, i tha Trump Politico-s lidhur me pjesëmarrjen e Iranit në turne. “Mendoj se Irani është një vend i mundur. Ata mezi po mbijetojnë”.
Irani është kualifikuar për Kupën e Botës për herë të katërt radhazi dhe është planifikuar ta nisë rrugëtimin kundër Zelandës së Re dhe Belgjikës në Los Anxhelos, përpara ndeshjes së fundit në grup kundër Egjiptit në Siatëll. Vendi nuk u tërhoq nga gara verën e kaluar, kur SHBA-ja bombardoi tre objekte bërthamore në territorin e tij. Megjithatë, për shkak të trazirave aktuale, kreu i federatës iraniane të futbollit, Mehdi Taj, raportohet se ka hedhur dyshime mbi pjesëmarrjen e tyre. Taj i tha televizionit iranian se ishte “larg pritshmërive tona që ta shohim Kupën e Botës me shpresë”. Ai shtoi se zyrtarët sportivë të vendit do të vendosin nëse është e nevojshme të ndërmerret ndonjë veprim.
Sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafstrom, tha të shtunën: “Fokusi ynë është të kemi një Kupë Bote të sigurt me pjesëmarrjen e të gjithëve”.
Burimi: opinion.al


