Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit tha në një deklaratë se incidenti ndodhi rreth orës 12:00 (08:00 GMT) të enjten.
“Një dron goditi ndërtesën e terminalit të aeroportit në Republikën Autonome të Nakhçivanit, ndërsa një dron tjetër ra pranë një ndërtese shkolle në fshatin Shakarabad”, thuhet në deklaratë.
“Ne i dënojmë fuqishëm këto sulme me dron të lëshuara nga territori i Republikës Islamike të Iranit”.
Ministria shtoi se sulmi plagosi dy civilë dhe shkaktoi dëme materiale në aeroport. Ajo kërkoi një “shpjegim të qartë” nga Irani dhe tha se vendi “rezervon të drejtën për të marrë masa të përshtatshme kundërpërgjigjeje”.
Për incidentin është thirrur në Ministrinë e Jashtme ambasadori iranian Mojtaba Demirchilou. Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, më vonë mohoi se vendi i tij kishte shënjestruar Azerbajxhanin. “Republika Islamike e Iranit nuk ka shënjestruar Republikën e Azerbajxhanit,” tha ai në deklarata të transmetuara nga agjencia iraniane Tasnim News Agency. “Ne nuk i shënjestrojmë vendet tona fqinje”.
Ai shtoi se politika e Iranit është të godasë vetëm bazat ushtarake të armiqve të tij që veprojnë në rajon dhe që përdoren për të sulmuar Iranin. Nakhchivan, që kufizohet me Iranin dhe Turqinë, ishte pjesë e një marrëveshjeje historike paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja vitin e kaluar midis ish-armiqve të përgjakshëm Armenisë dhe Azerbajxhanit. Korridori tokësor, i quajtur “Trump Route for International Peace and Prosperity” (TRIPP), i dha SHBA-së të drejta zhvillimi për rrugën e propozuar që lidh Azerbajxhanin me enklavën e tij Nakhçivan dhe krijon një kalim mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Irani e ka kundërshtuar prej kohësh këtë korridor tranziti, i njohur edhe si korridori Zangezur, duke pasur frikë se mund ta shkëpusë vendin nga Armenia dhe pjesa tjetër e rajonit të Kaukazit dhe se mund të sjellë forca të huaja potencialisht armiqësore pranë kufijve të tij.
Irani prej kohësh e akuzon qeverinë azerbajxhanase se e ka kthyer Azerbajxhanin në një bazë spiunazhi për Izraelin. “Ata po akuzojnë presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, se po minon sigurinë e Iranit nga kufiri verior”, tha Serdar. “Irani ka thënë disa herë se nëse Azerbajxhani nuk ndalet, do të ndëshkohet”.
Sipas tij, sulmet me dron të së enjtes po dërgojnë një mesazh të qartë për qeverinë e Azerbajxhanit, duke treguar se Irani po përfshihet në një konflikt edhe me vende fqinje.
Burimi: opinion.al


