Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, takuan shërbimet e Policisë Rrugore të planifikuara në shërbim gjatë natës së ndërrimit të viteve, si dhe të Sallës së Komandimit të DVP Tiranë.
Gjatë takimit me punonjësit e Policisë Rrugore, Drejtori Proda i uroi Gëzuar Vitin e Ri dhe, nëpërmjet tyre, të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, në veçanti ata që janë në shërbim, duke i falënderuar për përkushtimin dhe sakrificën e treguar në shërbim të sigurisë së qytetarëve.
Drejtori Proda theksoi se nuk do të ketë asnjë tolerancë për drejtimin e mjeteve nën efektin e alkoolit, duke nënvizuar se çdo kontroll ka për qëllim shpëtimin e jetëve. Ai kërkoi profesionalizëm, korrektësi, komunikim me etikë dhe kujdes maksimal për veten dhe për njëri-tjetrin.
Në momentin e ndërrimit të viteve, Drejtori i Përgjithshëm inspektoi Sallën e Komandimit të DVP Tiranë, ku vlerësoi rolin kyç të kësaj strukture në menaxhimin e situatave operative.
Ai theksoi se çdo telefonatë dhe çdo informacion duhet të vlerësohet me seriozitet maksimal, pasi reagimi në kohë dhe koordinimi i saktë me patrullat në terren janë vendimtarë për parandalimin e ngjarjeve.
Gjatë festimeve për ndërrimin e viteve, si pasojë e hedhjes së fishekzjarrëve, deri në orën 01:30 të datës 01.01.2026, në rang vendi janë raportuar 20 shtetas të lënduar, pa rrezik për jetën, si dhe një e mitur 13-vjeçare, e cila ka pësuar gërvishtje në parakrah, dyshohet nga një plumb qorr, në Vaqarr (16 raste në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Lezhë, 1 në Fushë-Arrëz dhe 1 në Korçë).
Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin janë në gatishmëri të plotë dhe vijojnë monitorimin e qarkullimit rrugor, të ambienteve ku zhvillohen festime dhe të gjithë territorit.
Policia e Shtetit ju uron Gëzuar Vitin e Ri 2026!
Me besim dhe bashkëpunim për më shumë siguri.
Top Channel
Burimi: top-channel.tv

