Bordi i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së, të mërkurën, e ka raportuar Iranin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për herë të parë në 20 vjet, duke e akuzuar për dështim në bashkëpunimin me një hetim të gjatë lidhur me gjurmët e uraniumit të zbuluara nga inspektorët në lokacione të padeklaruara.
Zyrtarët perëndimorë dyshojnë se këto gjurmë mund të jenë dëshmi se Irani kishte një program sekret për zhvillimin e armëve bërthamore deri në vitin 2003. Irani thotë se nuk po zhvillon armë bërthamore dhe se programi i tij është tërësisht paqësor.
Raportimi i Iranit në Këshillin e Sigurimit e hap mundësinë për vendosjen e sanksioneve dhe ngrirjen e aseteve, megjithëse masa të tilla ndëshkuese nuk kanë gjasa të miratohen, pasi aleatët e Iranit, Rusia dhe Kina, kanë të drejtën e vetos në këtë organ.
Njëzet e tri vende nga Bordi i Guvernatorëve i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), i përbërë nga 35 anëtarë, votuan të mërkurën në favor të rezolutës në selinë e IAEA-së në Vjenë, raporton AP.
Kina, Rusia dhe Nigeri votuan kundër, ndërsa tetë vende abstenuan dhe një vend nuk votoi, pasi ishte me detyrime të papaguara, sipas diplomatëve që folën në kushte anonimiteti për të përshkruar rezultatin e votimit me dyer të mbyllura.
Rezoluta u propozua nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca dhe Gjermania.
Kjo nismë diplomatike është shqyrtuar që nga qershori i vitit 2025, kur Bordi i IAEA-së e shpalli zyrtarisht Iranin në mospërputhje me detyrimet e tij për mospërhapjen e armëve bërthamore, për shkak të mungesës së bashkëpunimit të Teheranit në hetim.
Burimi: botasot.info


