Gazment Buçpapaj, i arrestuar mbrëmjen e së hënës në Tropojë si autor i dyshuar i vrasjes së Egli Pashollarit më 20 shkurt, në zonën e njohur si ish-parku, është marrë në pyetje nga oficerët e policisë, ku ka dhënë versionin e tij mbi ngjarjen.
Sipas dëshmisë së tij të siguruar për BalkanWeb nga gazetarja Xhensila Kodra, 40-vjeçari ka pretenduar se krimin e ka kryer në kushtet e vetëmbrojtjes. Ai ka deklaruar se ditën e ngjarjes kishte marrë bashkëshorten nga puna dhe ishte nisur drejt spitalit, por rrugën e kishte gjetur të bllokuar.
Buçpapaj ka pohuar se i ka rënë borisë, ndërsa, sipas tij, viktima e ka sharë nga makina. Të dy mjetet kanë vijuar lëvizjen për rreth 100 metra, moment kur, sipas deklarimit të tij, Egli Pashollari ka ndaluar automjetin, ka zbritur dhe e ka ofenduar sërish.
Në vijim, ai ka treguar se janë përfshirë në një përleshje fizike me grushte dhe se në kushtet e vetëmbrojtjes e ka goditur me thikë. Burime bëjnë me dije se pas ngjarjes së ndodhur më 20 shkurt, Buçpapaj ka qëndruar në Tropojë, tek disa të afërm të tij, deri në momentin e arrestimit.
Burimi: botasot.info


