Fluksi i emigrantëve drejt ishullit të Kretës vijon pa u ndalur, duke vënë nën presion të vazhdueshëm autoritetet greke.
Vetëm mëngjesin e sotëm janë regjistruar edhe dy operacione të tjera shpëtimi nga Roja Bregdetare greke, pas lokalizimit të dy gomoneve me gjithsej 61 emigrantë në det të hapur, në jug të ishullit të Gavdos. Në operacion kanë marrë pjesë edhe forcat e FRONTEX-it, të cilat kanë ndërhyrë për nxjerrjen e sigurt të të gjithë personave në breg.
Emigrantët pritet të transportohen në orët në vijim drejt portit të Paleohorës në Hania dhe më pas në kampin e përkohshëm pritës të Agias. Ky kamp ishte mbushur vetëm një ditë më parë me mbi 550 persona, pas një serie operacionesh shpëtimi të njëpasnjëshme gjatë ditëve të fundit.
Mbërritjet në jug të Kretës dhe në Gavdos janë kthyer në pothuajse të përditshme. Autoritetet greke flasin për një situatë nën presion konstant, me dhjetëra gomone që nisen nga brigjet e Libisë dhe arrijnë në ujërat greke, shpesh në kushte tepër të rrezikshme.
Sipas mediave greke, vetëm gjatë këtij viti mbi 19 mijë emigrantë kanë mbërritur në Kretë, duke e shndërruar ishullin në një nga pikat kryesore të një rruge të re migratore në Mesdheun lindor. Shumica e emigrantëve janë burra nga Bangladeshi, Egjipti dhe Pakistani, por mes tyre ka edhe familje, gra dhe fëmijë. Pamjet e fundit nga Ierapetra treguan edhe një foshnje vetëm 25-ditëshe nga Sudani, e cila u dërgua në spital për kontrolle shëndetësore.
Autoritetet po përpiqen të çlirojnë kampet e përkohshme të pritjes në Kretë, duke organizuar transferimin e qindra emigrantëve drejt strukturave në ishuj të tjerë grekë. Vetëm në operacionet e fundit, rreth 400 persona janë larguar nga ishulli me mjete të Rojës Bregdetare, ndërsa pritet mbërritja e anijeve të tjera për transportime të reja.
Në disa raste janë zbuluar edhe rrjete të organizuara trafikantësh. Pak ditë më parë, në një nga operacionet më të mëdha të shpëtimit, u nxorën nga deti mbi 500 emigrantë nga një anije peshkimi, ndërsa pesë shtetas egjiptianë u arrestuan si trafikantë të qenieve njerëzore. Sipas dëshmive, emigrantët kishin paguar deri në 5 mijë dollarë për person për këtë udhëtim të rrezikshëm.
Vala e emigrantëve nga Libia drejt Kretës vijon të testojë kapacitetet dhe qëndrueshmërinë e ishullit. Athina ka paralajmëruar se përparësi do t’i jepet menaxhimit të flukseve migratore dhe kthimit të atyre që nuk përfitojnë azil, në një situatë që po mbetet një nga sfidat kryesore për autoritetet greke.
Top Channel
Burimi: top channel


