Gjykata në Tennessee ka urdhëruar autoritetet të ruajnë provat nga tentativa e dështuar për ekzekutimin e 50-vjeçares. Avokatët thonë se ajo është e vetëdijshme, por vazhdon të ketë probleme të rënda shëndetësore.
Një gjykatë në Nashville urdhëroi të mërkurën, më 7 tetor, ruajtjen e të gjitha provave që lidhen me tentativën e dështuar për ekzekutimin e Christa Pike, të dënuarës me vdekje që mbijetoi pasi iu administruan dy doza të barit pentobarbital.
Gjykatësja I’Ashea Myles kërkoi që autoritetet e shtetit Tennessee të ruajnë shiringat, paketimet e barnave, kateterët, linjat intravenoze dhe pajisjet e përdorura gjatë procedurës. Urdhri përfshin edhe komunikimet e brendshme, raportet e incidentit dhe dëshmitë për atë që ndodhi.
Vendimi shënon një zhvillim të ri në këtë rast, pasi avokatët njoftuan të martën se Pike ishte zgjuar dhe kishte filluar të fliste.
Megjithatë, sipas ekipit të saj ligjor, gjendja shëndetësore mbetet e rënduar. Ajo ka pneumoni dhe një mpiksje gjaku, ka vështirësi në gëlltitje dhe nuk mund të lëvizë krahët e dëmtuar. Avokati Randy Spivey tha se Pike është e zemëruar dhe e hutuar pas asaj që ka përjetuar.
Pike, 50 vjeçe, u dërgua pa ndjenja në spital pas tentativës për ekzekutim më 30 shtator, në burgun Riverbend Maximum Security Institution. Dy injeksionet nuk i shkaktuan vdekjen.
Avokatët kërkojnë transparencë mbi procedurën dhe pretendojnë se trajtimi i saj përbën shkelje të ndalimit kushtetues të ndëshkimeve mizore. Ata kërkojnë gjithashtu që dënimi me vdekje t’i zëvendësohet me burgim të përjetshëm.
Gjykatësja ende nuk ka vendosur për kërkesën që mbetjet e barnave të përdorura gjatë ekzekutimit t’u nënshtrohen analizave kimike. Departamenti i Korrektimeve i Tennessee ka argumentuar se një urdhër i posaçëm për ruajtjen e provave është i panevojshëm, pasi institucioni e ka tashmë këtë detyrim ligjor.
Guvernatori Bill Lee ka pezulluar ekzekutimet në shtet për pjesën e mbetur të vitit dhe ka premtuar hetim mbi rastin.
Pike u dënua me vdekje për përfshirjen në torturimin dhe vrasjen e 19-vjeçares Colleen Slemmer në vitin 1995, kur vetë ishte adoleshente.
Burimi: botasot.info


