i denuar me 32 vite burg per vrasje babale habit mediat britanike the sun brenda burgut fitoi 20 000 sterlina nga loja ne tiktok 697639c6c5bde

I dënuar me 32 vite burg për vrasje, “Babale” habit mediat britanike, “The Sun”: Brenda burgut, fitoi 20.000 sterlina nga loja në TikTok

January 25, 2026
min lexim

Rasti i Eugert Merizajt ka shkaktuar reagime dhe zemërim të fortë në Britani, pasi u zbulua se ai ka përfituar rreth 20 mijë paund nga një transmetim i drejtpërdrejtë në TikTok, i realizuar nga brenda qelisë së tij në një burg të Manchesterit.

Sipas raportimeve, Merizaj arriti të sigurojë këtë shumë në vetëm shtatë minuta, duke përdorur një telefon celular të futur në mënyrë të paligjshme në ambientet e burgut. Ai mori pjesë në një “ndeshje” në TikTok, një format ku dy përdorues transmetojnë njëkohësisht dhe nxisin ndjekësit të dërgojnë dhurata virtuale.

Këto dhurata paguhen nga përdoruesit dhe shndërrohen në pikë, ndërsa fitues shpallet ai që grumbullon më shumë pikë, të cilat më pas konvertohen në para. Gjatë transmetimit, Merizaj dëgjohet duke u bërë thirrje ndjekësve të dërgojnë më shumë dhurata dhe të shpërndajnë videon për të rritur shikueshmërinë, ndërkohë që lexon me zë emrat e kontribuuesve, sipas The Sun.

Merizaj përdorte disa llogari në TikTok, ndërsa ajo kryesore kishte mbi 45 mijë ndjekës. Kjo i mundësoi të grumbullonte gjithsej 5,429,625 pikë, me një vlerë të përllogaritur rreth 20 mijë paund. Dyshohet se të ardhurat janë depozituar në llogarinë bankare të një miku të tij jashtë burgut.

Në transmetime të tjera live, Merizaj shfaqet duke pirë cigare dhe i veshur me rroba firmato. Në një komunikim me ndjekësit, ai shprehet me krenari se autoritetet nuk mund ta deportojnë në Shqipëri pa firmën e tij.

WhatsApp Image 2026 01 25 at 15.44.24

Merizaj është dënuar në vitin 2022 me 32 vite burg për vrasjen e Hemawand Ali Hussein, i cili u qëllua për vdekje nga afër brenda një banese në Hartlepool në vitin 2019.

Sipas rregullave të miratuara vitin e kaluar në Mbretërinë e Bashkuar, shtetasit e huaj të dënuar për vepra penale parashikohet të deportohen pasi të kenë vuajtur një pjesë të dënimit. Megjithatë, në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Fierit njohu vendimin e gjykatës britanike dhe pranoi që Merizaj të vuajë dënimin në Shqipëri. Ai pritet të transferohet në burgun e Peqinit, pasi t’i zbritet koha e vuajtur në Mbretërinë e Bashkuar.

Lidhur me këtë rast, politikani opozitar Nick Timothy reagoi duke deklaruar se sistemi i drejtësisë duhet të mbrojë qytetarët dhe të ndëshkojë kriminelët, duke theksuar se situata të tilla nuk duhet të tolerohen.

Pas sinjalizimit të rastit, TikTok njoftoi se ka bllokuar të gjitha llogaritë e përdorura nga Merizaj dhe ka pezulluar mundësinë e tërheqjes së fondeve.

Nga ana tjetër, një përfaqësues i Ministrisë britanike të Drejtësisë i tha gazetës The Sun se sjellja është plotësisht e papranueshme, se përmbajtjet janë hequr menjëherë dhe se ka nisur një hetim urgjent, duke paralajmëruar masa shtesë për të parandaluar futjen e sendeve të paligjshme në burgje.


Top Channel

Burimi: top-channel.tv

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

ferizaj ndjek liderin 6976391369afe
Lajmi i mëparshëm

Ferizaj ndjek liderin

policia gjen arme ne nje shtepi te braktisur ne zvecan 69763a21974c6
Lajmi i radhës

Policia gjen armë në një shtëpi të braktisur në Zveçan

Të fundit nga

ShkoLartë