Këshilltari komunal dhe perfaqesuesi i larte i BDI-se nga Kumanova z.Blerim Hyseni ka reaguar lidhur me premtimet e VLEN ne nivel lokal te cilat, sipas tij, jane vetem te karakterit deklarativ dhe kur vjen koha per tu implementuar, arsyetimet jane absurde. Në vazhdim ju sjellim reagimin e tij ne facebook:
“Edhe një herë, qytetarëve shqiptarë të Kumanovës po tentohet t’u hidhet hi syve me premtime të bukura në letër, ndërkohë që realiteti në terren flet krejt ndryshe. Koalicioni humbës VLEN, si bashkëqeverisës me ZNAM dhe VMRO në Komunën e Kumanovës, del para opinionit duke u mburrur me projekte për ndërtimin e çerdheve, ndërsa arsyetimi i tyre mbetet i njëjtë: “po presim Planin Detal Urbanistik”.
Por ky plan nuk pritet prej dje. Ai ka afro një dekadë që endet nëpër sirtarë e korridore institucionesh. Madje, sipas deklaratave të kryetarit të komunës, Maksim Dimitrievski, “po punohet” për të, pa dhënë asnjë afat konkret se kur do të përfundojë. Me këtë ritëm, ka gjasa që fëmijët që sot kanë nevojë për çerdhe, nesër të presin të regjistrohen direkt në universitet.
Si rrjedhojë, premtimet për çerdhe në vendbanimet shqiptare mbeten më shumë pjesë e fushatave propagandistike sesa projekte reale e të realizueshme.
Se pushteti lokal në Kumanovë është futur në një qorrsokak, dëshmohet edhe nga gjendja alarmante e pastërtisë në qytet. Mbeturinat e grumbulluara nëpër rrugë kundërmojnë si kurrë më parë, aq sa qytetari ka vështirësi të kuptojë nëse ndodhet në një qytet apo pranë një deponie mbeturinash. Ndërmarrjet publike janë zhytur në borxhe, ndërsa përgjegjësia duket se është bërë mall i rrallë!
Prandaj, para se të premtohen çerdhe, projekte madhështore dhe zhvillim i hovshëm, ndoshta do të ishte më e ndershme të zgjidhej fillimisht problemi i mbeturinave dhe i funksionimit normal të shërbimeve komunale.
Siç thoshte dikur një zyrtar me të cilin sot VLEN ndan pushtetin në Kumanovë: “Mos premtoni çokollata kur nuk keni para as për bukë.” Ironia e fatit është se kjo thënie sot tingëllon më aktuale se kurrë për ata që dikur e përdornin si kritikë, ndërsa tani e kanë shëndërruar në mënyrë qeverisjeje.”
Burimi: lajmpress.org


