Ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, njëherësh deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka vlerësuar se Kosova rrezikon të mbetet vendi i fundit në rajon në procesin e integrimit evropian, ndërsa ka thënë se Shqipëria dhe Mali i Zi po shënojnë përparim në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Përmes një postimi në Facebook, ai tha se zhvillimet e sotme në rajon duhet të shërbejnë si alarm për institucionet e Kosovës.
“Sot, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi po afrohen çdo ditë e më shumë me Bashkimin Evropian, Kosova rrezikon të mbetet e fundit në rajon në rrugën drejt anëtarësimit”, ka shkruar ai, duke përgëzuar Shqipërinë për avancimin në negociatat e anëtarësimit me BE-në dhe Malin e Zi për mbylljen e dy kapitujve të tjerë negociues.
Duke folur për pozitën e Kosovës, Hoxhaj tha se vendi ka humbur terren në raport me perspektivën evropiane që kishte vite më parë.
“Deri para shtatë vitesh, vendi ynë kishte një perspektivë shumë më të besueshme evropiane dhe gëzonte një mbështetje më të madhe nga partnerët tanë. Ndërkaq, qe 3 vjet Kosova pret që statusin e vendit kandidat ta shqyrtojë dikush, por ai ka mbetur në sirtarët e Bashkimit Evropian dhe askush nuk po merret me të”, ka shkruar deputeti i PDK-sw.
Në fund, ai bëri thirrje që Kosova ta rikthejë integrimin evropian në fokusin e politikës së saj të jashtme.
“Kosova meriton ta rikthejë vendin e saj në agjendën evropiane dhe të ecë përpara me besueshmëri e vizion”, ka përfunduar Hoxhaj.
Burimi: botasot.info


