Një 40-vjeçar pjesërisht i verbër po përballet me drejtësinë në Britani, i akuzuar për vrasjen e dy grave, përdhunimin e një tjetre dhe një sërë sulmesh seksuale ndaj grave, kryesisht punonjëse seksi.
Sipas Daily Mail, në një gjykatë të Londrës ka nisur gjyqi ndaj Simon Levy, i cili dyshohet se kreu krimet gjatë një periudhe tetëmujore në vitin 2025.
Prokurori Tom Little e përshkroi të pandehurin si një “grabitqar seksual serial”, duke theksuar se ai ka një histori të gjatë dënimesh për vepra penale seksuale ndaj grave.
Sipas prokurorisë, Levy ka kryer gjithsej 13 sulme seksuale nga korriku i vitit 2018 deri në maj të vitit 2025.
Ai ishte dënuar në shtator të vitit 2021 për një sulm seksual të kryer në korrik 2018 dhe për një tjetër sulm seksual me penetrim në gusht të po atij viti.
Më 5 shkurt 2026, ai u dënua sërish për 11 sulme të tjera seksuale ndaj grave të ndryshme, të kryera nga prilli 2022 deri në maj 2025. Gjashtë prej tyre ndodhën gjatë pesë muajve të parë të vitit 2025, periudhë në të cilën, sipas aktakuzës, ai sulmoi edhe tre viktimat e këtij procesi gjyqësor.
“Këto dënime tregojnë qartë qëndrimin dhe sjelljen e tij ndaj grave”, tha prokurori.
Rasti i parë lidhet me një punonjëse seksi 35-vjeçare, e cila, sipas prokurorisë, u përdhunua në janar 2025.
Gruaja dëshmoi se Levy e kishte mbytur derisa humbi ndjenjat dhe se kishte pësuar edhe thyerje të klavikulës pasi ai kishte rënë mbi të. Ajo u tha hetuesve se kishte besuar se do të vdiste.
Gjatë dëshmisë, ajo deklaroi se i pandehuri ia kishte mbuluar gojën dhe hundën me duar, ndërsa i kishte futur një gisht në fyt për ta penguar të bërtiste, duke i thënë: “Hesht, qetësohu”.
Sipas prokurorisë, Levy e la gruan duke menduar se kishte vdekur, por ajo rifitoi vetëdijen dhe mbijetoi.
Dy muaj më vonë, sipas aktakuzës, Levy vrau 53-vjeçaren Carmenza Valencia-Trujillo, e cila u gjet e pajetë më 17 mars 2025 në shkallët e një kompleksi banesash të braktisur në Southwark, në juglindje të Londrës.
Pranë trupit u gjet një tub metalik me gjakun e të pandehurit, ndërsa ADN-ja e tij u identifikua edhe në trupin e viktimës. Gruaja, e cila ishte përdoruese droge, kishte plagë në fytyrë dhe shenja kompresioni në qafë.
Levy u arrestua më 1 prill, por gjatë marrjes në pyetje zgjodhi të mos u përgjigjej pyetjeve të hetuesve. Meqenëse në atë fazë shkaku i vdekjes nuk mund të përcaktohej me siguri, ai u lirua.
Sipas prokurorisë, më 24 gusht 2025 ai vrau edhe 39-vjeçaren Cheryl Wilkins.
Trupi i saj u gjet pas një muri në një parking në Tottenham, pranë vendit ku ishte regjistruar sulmi i parë për përdhunim dhe jo larg banesës së të pandehurit.
Gruaja u gjet e shtrirë me fytyrë përtokë, me 83 lëndime në fytyrë, kokë, trup dhe gjymtyrë.
Edhe në këtë rast, shkaku i vdekjes u cilësua si “i papërcaktuar”, megjithëse prokuroria pretendon se ajo mund të ketë humbur jetën nga asfiksia si pasojë e mbulimit të gojës dhe hundës, shtypjes së qafës ose presionit në kraharor.
Sipas hetuesve, edhe në trupin e saj u gjet ADN-ja e Simon Levy.
Avokatja mbrojtëse, Siobhan Gray, argumentoi se çështja e prokurorisë mbështetet në rrethana dhe jo në prova të drejtpërdrejta.
Ajo deklaroi se nuk është vërtetuar se dy gratë janë vrarë, duke lënë të hapur mundësinë që ato të kenë ndërruar jetë si pasojë e përdorimit të drogës.
Gjithashtu, ajo theksoi se dënimet e mëparshme të klientit të saj lidhen me vepra të tjera penale dhe nuk mund të përdoren si provë për akuzat aktuale.
Simon Levy i mohon të gjitha akuzat. Ai pretendon se marrëdhëniet seksuale me të dyja gratë kanë qenë me pëlqimin e tyre dhe nuk pranon fajësinë për dy vrasjet, dy përdhunimet, shkaktimin e rëndë të dëmtimeve trupore dhe akuzën për asfiksi jo-fatale.
Burimi: botasot.info


