haxhiu per letrat e xheve e fehmi lladrovcit histori dashurie dhe sakrifice 6ada51422a80d

Haxhiu për letrat e Xhevë e Fehmi Lladrovcit: Histori dashurie dhe sakrifice

October 22, 2026
min lexim

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kujtuar historinë e dashurisë së Xhevë dhe Fehmi Lladrovcit, duke vënë në pah letrat e tyre, të cilat dëshmojnë lidhjen e fortë mes tyre dhe përkushtimin ndaj çlirimit të Kosovës.

Në një postim në Facebook, Haxhiu ka shkruar se historia e çiftit përfaqëson një rrëfim të veçantë dashurie, që i mbijetoi ndarjes, burgut dhe përndjekjes, por që u ndërthur me sakrificën për lirinë e vendit.

Duke iu referuar poezisë së Ali Podrimjes, “Koha është të duhemi”, ajo ka rikujtuar vargjet: “Na iku jeta, trime, si s’menduam pak edhe për vete”, duke i lidhur ato me fatin e dy luftëtarëve që një pjesë të madhe të jetës ia kushtuan Kosovës.

Sipas Haxhiut, letrat e Xhevës dhe Fehmiut zbulojnë edhe anën e tyre njerëzore, përtej historisë së luftës. Në to, çifti shkëmbente mesazhe dashurie, bënte shaka, diskutonte për libra, dasmën dhe jetën që ëndërronte të ndërtonte së bashku.

Postim i plotë:

Historia botërore njeh rrëfime të panumërta dashurie, por pak prej tyre mbartin fatin tragjik dhe madhështinë e dashurisë së Xhevës dhe Fehmiut. Një dashuri që u qëndroi mureve të burgut, viteve të ndarjes dhe përndjekjes, dhe që nuk u shua as në çastet e fundit të jetës së tyre.

“Na iku jeta, trime, si s’menduam pak edhe për vete”, shkruante Ali Podrimja në poezinë e tij “Koha është të duhemi”.

Është e pamundur t’i lexosh këto vargje e të mos mendosh për Xhevën dhe Fehmiun. Për dy heronjtë tanë që e deshën aq shumë njëri-tjetrin, por që një pjesë të madhe të jetës së tyre ia kushtuan lirisë së Kosovës.

Këtu, përmes letrave të tyre, njohim dy të rinj që shkëmbenin letra dashurije, që bënin shaka, flisnin për librat, për dasmën dhe për jetën që ëndërronin ta ndërtonin bashkë.

Xheva ishte një grua e jashtëzakonshme, intelektuale, veprimtare dhe luftëtare, që e kishte zgjedhur vetë rrugën e saj. Fehmiu ishte njeriu me të cilin ndante dashurinë dhe idealin e lirisë. Ata e deshën njëri-tjetrin me të njëjtën vendosmëri me të cilën luftuan për Kosovën.

Më prek veçanërisht fakti se këto letra janë plot jetë, plot shpresë dhe besim në të ardhmen, ndonëse ne sot e dimë fundin tragjik të historisë së tyre.

Xheva shkruante: “Një mur na ndanë në mes. Po ku ndahen zemrat që rrahin si një zemër.”

Ata ranë së bashku më 22 shtator 1998, pa arritur ta jetonin Kosovën e lirë për të cilën kishin ëndërruar aq shumë.

“E jotja gjer në varr”, i shkruante Xheva Fehmiut. Dhe i mbeti besnike fjalës së saj deri në fund.

Ndoshta pikërisht këtu qëndron madhështia dhe tragjedia e kësaj dashurie. Ata ishin të gatshëm të jepnin jetën për lirinë, por letrat e tyre na tregojnë se sa shumë kishin dashur të jetonin.

Ata e dinin çmimin që mund të kishte kjo përpjekje dhe megjithatë nuk hoqën dorë. Sot, Kosova e lirë është dëshmia më e madhe e sakrificës së tyre dhe e të gjithë atyre që luftuan për të.

Prandaj, ruajtja e këtyre letrave ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Përmes tyre, historia jonë merr zë, fytyrë dhe ndjenjë. Ato na lejojnë t’i njohim heronjtë tanë edhe përtej betejave, të kuptojmë çfarë ëndërronin, çfarë i mbante të fortë dhe çfarë lanë pas.

Dua ta përgëzoj muzeun Reporting House që po i nxjerr për herë të parë para publikut këto letra kaq të çmuara, si dhe familjarët që i kanë ruajtur me aq kujdes ndër vite. Është një kontribut i vyer për kujtesën tonë kolektive dhe për brezat që do të vijnë

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

euroambasadori rokas paralajmeroi 40 milione euro shtese per forcimin e kapaciteteve ushtarake te rmv se 6ada50e1a9477
Lajmi i mëparshëm

Euroambasadori Rokas paralajmëroi 40 milionë euro shtesë për forcimin e kapaciteteve ushtarake të RMV-së

protesta ne tirane protestuesit hedhin gure policia kerkon largimin e femijeve nga rruga 6ada519cbb148
Lajmi i radhës

Protesta në Tiranë: Protestuesit hedhin gurë, policia kërkon largimin e fëmijëve nga rruga

Të fundit nga

ShkoLartë