Astrit Hasani, Kryetar i Federatës Evropiane të Peshëngritjes, ka theksuar se uniteti ka qenë faktori kyç që e ka bërë shqiptarin e parë të zgjidhet në krye të kësaj federate evropiane, duke e cilësuar këtë si një moment historik për sportin kosovar dhe mbarë shqiptarët.
Në adresimin e tij gjatë ceremonisë së Laureatëve të Vitit 2025 të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, Hasani ka nënvizuar se mbështetja e gjerë institucionale dhe olimpike ka dëshmuar se kur shqiptarët bëhen bashkë, nuk ka pengesë që nuk mund të kapërcehet.
“Arsyeja pse unë jam sot shqiptari i parë në botë që jam zgjedh President i Federatës Evropiane të Peshëngritjes është uniteti. Asnjëherë në histori as të sportit të Kosovës nuk kemi pa unitet të tillë dhe duke i falënderuar të gjithë qoftë edhe presidenten e nderit, presidenten e Komitetit Olimpik dhe të gjithë lëvizjen olimpike, gjithë federatën të cilët kanë lobuar për mua që të zgjidhem President në fund kam ardhur te një konstatim se kemi mësuar edhe prej historisë momentin që shqiptarët bëhen bashkë nuk ka askush që i mund. Sinqerisht me plot zemër e uroj Kryeministrin e Republikës së Kosovës, që muajin e ardhshëm me e bë të pamundurën. Kosova me pas unitet sepse i kemi lojërat mesdhetare Prishtina 2030 që janë shumë të rëndësishme të ia dëshmojmë botës që ne mund dhe do t’ia dalim t’i organizojmë lojërat ma të suksesshme mesdhetare që kanë qenë ndonjëherë”, theksoi Hasani.
Hasani ka vlerësuar se ky unitet duhet të vazhdojë edhe në prag të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke e parë këtë ngjarje si një mundësi të madhe për të dëshmuar kapacitetet organizative të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Burimi: botasot.info


