Duhet të diskutojmë fillimisht për prioritete e jo për pozita, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, pak para takimit me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në Kuvendin e Kosovës.
Hamza përmendi partneritetin me aleatët dhe rritjen e pagave dhe pensioneve, derisa u pyet se a do të gjendet një zgjidhje për formimin e institucioneve të reja.
“Fillimisht për prioritete se unë kam garuar me një program dhe kam garuar me disa prioritete. Nuk kam garuar për me i pas katër-pesë vetëm ministra, për me pas këtë dhe atë pozicion. Kam garuar me pas ambient të mirë për biznesin, me pas partneritet me aleatë dhe miqtë tanë dhe me i rrit pagat dhe pensionet”, tha ai.
Kurti të premten ka ftuar në takim edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarin e Aleancës, Ardian Gjini. Ky i fundit ka refuzuar takimin, derisa ka përmendur disa prej kërkesave të tij, përfshirë gazin amerikan për ta bërë kuorumin për presidentin.
KQZ certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit të mërkurën. Nga këto zgjedhje, parti e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje me 47.13%, apo 53 ulëse në Kuvend. E dyta, Partia Demokratike e Kosovës, me 19.44%, apo 22 deputetë. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, me 16.69%, ka fituar 18 ulëse, si dhe Aleanca, me 6.74%, shtatë ulëse. Kurse komunitetet joshumicë kanë siguruar 20 ulëse.
Burimi: botasot.info


