hamza dorehiqet pdk ja perballe proves se madhe reformim apo percarje e re 6adb324161001

Hamza dorëhiqet, PDK-ja përballë provës së madhe: Reformim apo përçarje e re?

October 23, 2026
min lexim

Të mërkurën, kryetari Bedri Hamza ka njoftuar kryesinë e PDK-së për dorëheqjen e tij të parevokueshme nga udhëheqja e partisë.

Hamza në një konferencë për media ka thënë se ky vendim i hap rrugë një procesi të ri zgjedhor brenda PDK-së, duke pohuar se përgjegjësitë që ka marrë nga viti 2020, pas dërgimit në Hagë të ish-udhëheqësve të PDK-së, përfshirë kandidimin për Kryetar të Mitrovicës, kandidimin tri herë radhazi për kryeministër dhe udhëheqjen e partisë, i ka marrë për shkak të përgjegjësisë ndaj PDK-së e Kosovës dhe jo nga ambiciet personale.

Ai tha se gjatë udhëheqjes së tij është përqendruar në ruajtjen e unitetit të partisë, strukturave të saj dhe besimit të anëtarëve e të votuesve.

“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike. Derisa të kem jetë, do të jem votues besnik i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kësaj familjeje të madhe politike”, u shpreh ai.

Pas dorëheqjes, organet drejtuese të PDK-së caktuan Vlora Çitakun ushtruese të detyrës së kryetares, siç njoftoi zyra për media e partisë. Ajo ishte e propozuara e vetme dhe emrin e saj e kishte propozuar vetë Hamza, konfirmoi deputetja dhe anëtarja e Kryesisë, Blerta Deliu-Kodra.

Çitaku do ta mbajë detyrën deri në përfundimin e procesit zgjedhor brenda partisë.

Analistët politikë kanë folur për “Bota sot”, rreth dorëheqjes së Bedri Hamzës, ndikimit të tij në të ardhmen e PDK-së, mundësinë e reformimit të PDK-së dhe misionit politik të Hamzës. Sipas tyre, dorëheqja mund të shihet si shembull i marrjes së përgjegjësisë për mossuksesin e lidershpit, duke thënë se ai drejtoi partinë në një periudhë të vështirë politike.

Sipas tyre, misioni politik i Hamzës u përmbush dhe nevoja e PDK-së tashmë është për një proces që nuk do të kufizohet vetëm te gara për postin e kryetarit, por që do të përfshijë edhe diskutimin për programin, organizimin dhe orientimin e saj politik.

Shembulli politik dhe nevoja për ripërtrirjen e PDK-së

Analisti Nexhat Haziri, dorëheqjen e Hamzës e sheh si model për skenën politike në Kosovë.

Sipas tij, kjo dorëheqje do të krijojë një momentum të ri për vet PDK-në.

“Dorëheqja e Bedri Hamzës nga pozita e kryetarit të PDK-së, përtej asaj që është një zhvillim normal e demokratik brenda një subjekti politik, duhet të parë edhe si model për gjithë skenën politike kosovare si marrjen e përgjegjësisë për një projekt që nuk i ka përmbushur pritjet, pasi ne nuk kemi parë shumë shembuj kur liderët marrin përgjegjësi për mossuksesin e lidershipit të tyre. Natyrisht se kjo dorëheqje e z. Hamza do të krijojë një momentum të ri për vetë PDK-në, që duhet të ketë për objektiv krijimin e një projekti të një PDK-je me një vizion të qartë dhe qëllim të ri se ku do të arrijë, e që kjo padyshim se kërkon reforma, hapje të partisë me një proces zgjedhore demokratik e gjithëpërfshirës, e që nënkupton një PDK që nuk do të jetë e varur nga Haga dhe vendimet që do të merren atje për ish-liderët e saj, por një PDK si projekt i ri politik dhe alternative e re për Kosovën përballë qeverisë së LVV dhe z. Kurti. Kjo nuk nënkupton që PDK-ja të mos ketë interesim për zhvillimet në Gjykatën Speciale dhe për fatin e ish-liderëve të saj”, deklaron Haziri.

Haziri vlerëson se Bedri Hamza e ka përmbushur deri në një masë misionin e tij në krye të PDK-së, pavarësisht rrethanave të pafavorshme politike. Sipas tij, Hamza arriti të ruajë një shkallë të unitetit të brendshëm të partisë dhe të dëshmojë një lidership të matur, modern dhe jopopulist, ndonëse rezultatet nuk i përmbushën plotësisht pritjet e tij dhe të elektoratit të PDK-së.

“Sa i përket zotit Hamza dhe misionit të tij, mendoj se ai e përmbushi deri në një masë, ndonëse rrethanat e krijuara dhe situata politike, jo vetëm e brendshme, sikur nuk ishin në anën e tij. Megjithatë, ai arriti të ruajë një shkallë të unitetit të brendshëm në PDK, por dëshmoi edhe një lidership të matur, modern dhe jopopulist. Mirëpo, kjo, siç duket, nuk mjaftoi që sukseset e lidershipit të tij, brenda PDK-së dhe në përgjithësi në skenën politike kosovare, të përputheshin me pritjet e tij dhe të vetë elektoratit të PDK-së. Nga ky proces pres që të përfitojë vetë PDK-ja, duke bërë një ripërtëritje, nëse mund të shprehem kështu. Siç e thashë edhe më parë, kjo është një mundësi e mirë për një proces të brendshëm zgjedhor demokratik dhe gjithëpërfshirës, i cili duhet të prodhojë energji të re, lidership të ri dhe një projekt të ri politik, në përputhje me synimet e partisë, por edhe me nevojat dhe sfidat që e presin vendin. PDK-ja duhet të ofrojë një alternativë të re politike. Është fat i mirë për këtë parti që nuk i mungojnë personalitetet dhe figurat e reja, të përgatitura profesionalisht dhe me integritet moral e politik, të cilat mund ta udhëheqin PDK-në”, deklaroi Haziri për “Bota sot”.

Testi i PDK-së zgjedhjet transparente dhe demokratike apo ‘mos pajtime’

Ndërsa, analisti Ali Hertica, thotë se dorëheqja e Hamzës hap një fazë të re për PDK-në.

Sipas tij, kjo fazë do të testojë aftësinë e saj për të gjetur një udhëheqje që mund të ruajë strukturën ekzistuese dhe të krijojë hapësirë për zhvillime të reja politike.

“Dorëheqja e Bedri Hamzës duhet parë në kontekstin e përgjegjësive që ai mori pas dërgimit në Hagë të ish-udhëheqësve të PDK-së. Ai e drejtoi partinë në një periudhë të vështirë politike, duke u përballur me disa procese zgjedhore dhe me nevojën për të ruajtur organizimin dhe unitetin e saj. Hamza ka theksuar se vendimi i tij është i menduar mirë dhe se po largohet vetëm nga pozita e kryetarit, jo nga partia. Megjithatë, dorëheqja e tij hap një fazë të re për PDK-në, në të cilën do të testohet aftësia e saj për të gjetur një udhëheqje që mund ta ruajë strukturën ekzistuese dhe të krijojë hapësirë për zhvillime të reja politike”, deklaron Hertica për “Bota sot”.

Sipas tij, dorëheqja e Hamzës mund të krijojë mundësi për reformimin e PDK-së, por ndryshimi i udhëheqjes nuk garanton vetvetiu reformimin.

“Dorëheqja mund të krijojë mundësi për reformimin e PDK-së, veçanërisht nëse përmbushet premtimi i Hamzës për përfshirjen e të rinjve dhe të figurave të reja në vendimmarrje. Ai kishte shprehur gatishmërinë për ta hapur partinë ndaj qytetarëve që dëshirojnë të kontribuojnë politikisht. Megjithatë, ndryshimi i udhëheqjes nuk garanton vetvetiu reformism”, thekson analisti.

Sipas tij, gjithçka varet nga mënyra si zhvillohet procesi brenda partisë.

“Gjithçka do të varet nga mënyra se si do të zhvillohet procesi zgjedhor brenda partisë, nga konkurrenca ndërmjet kandidatëve dhe nga aftësia e strukturave të PDK-së për të arritur një marrëveshje të brendshme. Nëse procesi zhvillohet në mënyrë transparente dhe demokratike, ai mund të shërbejë për konsolidimin e partisë; në të kundërtën, mund të nxjerrë në pah mospajtimet ekzistuese”, nënvizon Hertica.

I pyetur rreth misionit politik të Hamzës dhe udhëheqjes së tij, Hertica thotë se ai u përballë me përgjegjësi.

Sipas tij, udhëheqja e tij duhet të vlerësohet në raport me rrethanat që mori detyrën, përgjegjësitë që përballoi dhe gjendjen që ia lë partisë në përfundim të mandatit.

“Hamza mori drejtimin e PDK-së në rrethana të jashtëzakonshme, kur disa nga figurat më të rëndësishme të saj ndodheshin në Hagë. Gjatë kësaj periudhe, ai u përball me përgjegjësinë për ta përfaqësuar partinë në zgjedhje të njëpasnjëshme dhe për ta mbajtur atë funksionale në mungesë të udhëheqësve të saj historikë. Ai gjithashtu u angazhua për përfshirjen e emrave të rinj në listat zgjedhore. Nga ana tjetër, Hamza kishte shpresuar që drejtimin e partisë t’ua kthente Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, por zhvillimet e 16 shtatorit e larguan këtë mundësi. Prandaj, udhëheqja e tij duhet të vlerësohet në raport me rrethanat në të cilat e mori detyrën, përgjegjësitë që përballoi dhe gjendjen që ia lë partisë në përfundim të mandatit. Angazhimi për drejtësi dhe për lirimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së mbetet, sipas deklarimeve të tij, pjesë e qëndrimeve politike të PDK-së”, shton analisti.

Në konferencën e tij Hamza nuk dha datë për nisjen e procesit të zgjedhjeve të brendshme dhe gjersa pritet që PDK t’i organizojë ato, Hertica pret që rëndësia t’i jepet aftësisë së kandidatëve që bashkojnë struktura dhe krijojnë gjenerata të reja.

Sipas tij, PDK-ja ka nevojë për një proces që nuk do të kufizohet vetëm te gara për postin e kryetarit, por që do të përfshijë edhe diskutimin për programin, organizimin dhe orientimin e saj politik.

“Procesi i ri zgjedhor mund t’u japë mundësi figurave të ndryshme të PDK-së që të paraqesin vizionin e tyre për të ardhmen e partisë. Përveç përvojës politike dhe organizative, rëndësi do të ketë edhe aftësia e kandidatëve për të bashkuar strukturat dhe për të krijuar hapësirë për gjeneratat e reja. PDK-ja ka nevojë për një proces që nuk do të kufizohet vetëm te gara për postin e kryetarit, por që do të përfshijë edhe diskutimin për programin, organizimin dhe orientimin e saj politik. Ruajtja e unitetit do të varet nga respektimi i rregullave të brendshme, pranimi i rezultatit nga kandidatët dhe përfshirja e grupeve të ndryshme brenda partisë. Në këtë mënyrë, ndryshimi i udhëheqjes mund të shndërrohet në një mundësi për konsolidimin e PDK-së dhe jo në burim të përçarjeve të reja”, përfundon Hertica.

Hamza u zgjodh kryetar në Konventën e PDK-së më 17 nëntor 2025, disa ditë pasi u dorëhoq Memli Krasniqi. Në ditën e zgjedhjes premtoi se do ta mbante partinë të bashkuar dhe do ta hapte për njerëz të rinj; listat e PDK-së nën drejtimin e tij u mbushën me emra të rinj kandidatësh për deputetë.

Ai ishte kandidat i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet e shkurtit 2025, të 28 dhjetorit 2025 dhe të 7 qershorit 2026. Në të tria garat PDK doli e dyta pas Vetëvendosjes. Në zgjedhjet e qershorit, sipas rezultateve të certifikuara nga KQZ-ja, PDK-ja mori 19,44 për qind të votave dhe 22 mandate, ndërsa Vetëvendosje fitoi 53.

Para se të drejtonte partinë, Hamza ka qenë ministër i Financave, guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës (2013–2017) dhe kryetar i Mitrovicës.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

pese veta rrahin nje femije dhe e filmojne deshmi shqetesuese nga tetova 6adb31e25e98b
Lajmi i mëparshëm

“Pesë veta rrahin një fëmijë dhe e filmojnë“: Dëshmi shqetësuese nga Tetova

rama i beri gjyqin publik e akuzoi per trafik droge studenti ia plas ne sy jam student i mjekesise me mesatare 10 6adb32a2309af
Lajmi i radhës

Rama i bëri gjyqin publik, e akuzoi për trafik droge, studenti ia plas në sy: Jam student i Mjekësisë me mesatare 10!

Të fundit nga

ShkoLartë