Nëse vite më parë keni zgjedhur një adresë të shëmtuar në Gmail, të vështirë për t’u mbajtur mend, ndoshta plot me numra, shpëtimi po afrohet me hapa të mëdhenj. Në Indi, Google po u lejon përdoruesve të Gmail-it, që ta korrigjojnë një gabim të tillë.
Në praktikë, përdoruesit mund t’i bashkëngjisin profilit të parë që kanë në Gmail një profil të dytë, edhe nëse është krejtësisht i ndryshëm në emërtim. Adresa e parë në Gmail vazhdon të funksionojë normalisht. Ajo merr mesazhet dhe bashkëngjitjet si më parë, pa ndërprerje. Por të njëjtat mesazhe dhe bashkëngjitje fillojnë të mbërrijnë edhe në profilin e dytë të lidhur me të parin.
Akses në shërbime
Jo vetëm kaq. Si profili i vjetër, ashtu edhe i riu do të lejojnë hyrjen në shërbimet kryesore të Google-i: si Maps, YouTube, Google Play apo Drive. Siç ndodh në raste të tilla, Google po e prezanton risinë gradualisht, fillimisht për një numër të kufizuar përdoruesish, përpara se ta zgjerojë për të gjithë. Megjithatë, ka disa kufizime.
Një profil i ri mund të krijohet dhe të lidhet me të vjetrin vetëm një herë në vit. Për më tepër, përdoruesi mund ta bëjë këtë operacion vetëm tre herë gjithsej, pastaj jo më. Dhe profili i ri nuk mund të fshihet, nëse pendohemi për zgjedhjen. Nëse vendosim të fshijmë profilin e vjetër për të përdorur vetëm të riun, i vjetri nuk do të vihet në dispozicion për persona të tjerë që duan ta regjistrojnë.
Pavarësisht disa kufizimeve, risia mbetet revolucionare sepse rrëzon një nga shtyllat e strategjisë së Google, e cila bazohej në unikalitetin, pandryshueshmërinë dhe pazëvendësueshmërinë e profilit tonë Gmail. Ndonëse të bombarduar nga telefonatat dhe mesazhet e gazetarëve nga e gjithë bota, Google nuk ka saktësuar se kur kjo risi do të prezantohet në Shtetet e Bashkuara dhe sidomos në Europë.
Burimi: botasot.info


