Eksperti i çështjeve të sigurisë, Gurakuç Kuçi, ka ngritur shqetësimin për glorifikimin e personave të dënuar për krime lufte, duke theksuar se rehabilitimi i tyre nuk lidhet vetëm me të kaluarën, por mund të ketë pasoja edhe për sigurinë në të ardhmen.
Kuçi ka marrë si shembull figurën e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srbska, Ratko Mlladiq, i cili vdiq dje, duke argumentuar se glorifikimi i figurave të tilla sikurse bëri Serbia dhe Rusia për të, u përcjell brezave të rinj mesazhin se krimi mund të justifikohet nëse kryhet në emër të kombit.
Sipas tij, në Rusi dhe Serbi është ndërtuar një model patriotizmi në të cilin dhuna ndaj të tjerëve relativizohet kur paraqitet si mbrojtje e interesit kombëtar.
“Sa më shumë që një autor krimesh paraqitet si ‘mbrojtës i interesit kombëtar’, aq më lehtë krimi i tij shndërrohet në ‘sakrificë patriotike’”, ka shkruar Kuçi në Facebook.
Siç ka shkruar ai, mbrojtja apo rehabilitimi i personave të dënuar për krime nga institucionet, politikanët dhe mediat përcjell një mesazh të rrezikshëm: se krimi mund të relativizohet, justifikohet dhe madje të shpërblehet nëse kryhet në emër të kombit.
“Rehabilitohet edhe logjika që i prodhoi këta njerëz. Dhuna nuk shihet më si rrugë drejt përgjegjësisë, por si një rrugë e mundshme drejt statusit të patriotit”, ka theksuar ai.
Kuçi ka paralajmëruar gjithashtu për ndikimin e këtyre narrativave tek brezat e rinj, duke thënë se në Serbi dhe në Republikën Srpska vazhdojnë të qarkullojnë narrativa etnocentrike dhe armiqësore ndaj shqiptarëve, boshnjakëve, kroatëve dhe komuniteteve të tjera.
Burimi: botasot.info


