“90 ditë, një kërkesë: Llogaridhënie”/ Protestuesit ironi me Ramën përmes pankartave: Sot mbledhje partie, nesër në burg
Në ditën e 90-të të protestave kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, qytetarët kanë vijuar të sjellin në shesh pankarta me mesazhe kritike dhe ironike ndaj qeverisë.
Në fokus të protestuesve kanë qenë edhe nismat e reja të prezantuara nga kryeministri Rama, mes tyre “Besa” që është paraqitur si mekanizëm për përmirësimin e qeverisjes dhe komunikimit me qytetarët.
Një prej pankartave të shpalosura në protestë shkruante: “‘Besa’ e Ramës ka vetëm një drejtim, sonte në mbledhje partie, nesër në burg pa diskutim.”
Një tjetër pankartë ironizonte të dyja nismat e reja: “‘Besa’ dhe ‘Prania Besnike’ u thyen që në fillim, sonte te selia Besa ju pret një ndëshkim!”
Ndërsa një tjetër mesazh përmblidhte kërkesën e protestuesve pas tre muajsh protesta: “90 ditë, tre muaj. Një kërkesë: llogaridhënie.”
Pankartat janë kthyer në një nga format kryesore të shprehjes së pakënaqësisë gjatë këtyre 90 ditëve, ku qytetarët kanë përdorur mesazhe politike, kritike dhe ironike ndaj qeverisë.
Kërkesat kryesore të protestuesve vijojnë të jenë llogaridhënia, ndryshimi politik dhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Protesta para Kryeministrisë, aktivisti thirrje SPAK-ut: Veproni ndaj politikanëve të korruptuar, niseni me Ramën dhe Ballukun
Krahas kërkesës për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, protestuesit që janë mbledhur para Kryeministrisë kanë drejtuar një tjetër apel ndaj Prokurorisë së Posaçme.
Aktivistët kërkojnë që SPAK të ndërmarrë hapa ndaj politikanëve që ata i akuzojnë për korrupsion, duke përmendur mes tyre kryeministrin Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Aktivisti Arben Kola deklaroi se drejtësia duhet të veprojë dhe të mos vonojë hetimet për çështjet që lidhen me korrupsionin.
“Thirrja shkon sërish për SPAK-un. Veproni sa më shpejt që të bëni të mundur rrëzimin e kësaj qeverie përmes revolucionit paqësor”, u shpreh Kola.
Ai e cilësoi SPAK-un si një nga institucionet që, sipas tij, duhet të mbajë përgjegjësi për mënyrën se si po trajtohen dosjet e korrupsionit. “Ju jeni përgjegjësit kryesorë përballë popullit shqiptar për të vepruar, pasi po flini mbi dosjet e korrupsionit”, tha aktivisti.
Kola bëri gjithashtu thirrje që në fillim të shtatorit të ndërmerren veprime ndaj zyrtarëve që ai i konsideron përgjegjës për korrupsion. “Javën e parë të shtatorit, filloni me Edi Ramën, me Belinda Ballukun dhe me çdo politikan të korruptuar”, deklaroi ai.
Burimi: botasot.info


