Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, bëri përgjegjës strukturat shtetërore për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, që u vra në krye të detyrës pasditen e djeshme (6 tetor), teksa po jepte një vendim në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Ai theksoi mes të tjerash se në rastin kur kryeministri Edi Rama sulmon drejtësinë, çfarë mund të presësh nga qytetarët. Sipas ish-ligjvënësit demokrat, masat e sigurisë fizike në gjykata lënë për të dëshiruar, sikurse edhe padrejtësia që u bëhet qytetarëve me dosjet, kryesisht ato të pronave.
Dogjani tha se duhet të verifikohen të gjitha veprimet në zinxhir deri nga zanafilla dhe deri në ngjarjen kulminante, për të nxjerrë përgjegjësitë. Ai bëri përgjegjëse edhe Policinë e Shkodrës, që nuk mori masat dhe lejoi konfliktet që të degradonin deri në përgjakje.
“Bëhet fjalë për një konflikt midis 30 familjeve, të cilat u futën në atë pallat me marrëveshje me shtetin. Ai që pretendon se ishte pronar, guxon dhe futet në sallë me armë dhe e vret gjyqtarin. Gjyqtari është shteti. Kjo seancë nuk kishte të bënte me themelin, por me një çështje procedure. Ai nuk ka marrë një vendim në kuptimin e mirë të fjalës të shkojë i panxitur nga deklaratat që ka bërë kryeministri. Kur flet kryeministri i vendit që thotë; një vendim i atij gjyqtari apo i këtij këtu, nuk është i drejtë. Kur guxon kryeministri, çfarë pret nga ai Shkambi, apo një Shkamb tjetër”, tha Dogjani për “News 24”.
Pyetjes nëse familja Shkambi ishte problematike në kohën kur Dogjani ishte në krye të policisë, ai tha:
“Xhaxhai doli dhe tha kush do ta dënojë nipin, do ta pësojë si Astrit kalaja apo xhaxhai tjetër që ka kërcënuar një vit më parë, duhen parë veprimet e policisë. Si nuk e parandaloi policia këtë ngjarje? Ata jo vetëm që mund të kenë mbështetje politike, por kanë sfiduar shtetin, policinë. Edhe në 97-ën nuk ka ndodhur kjo gjë. Një ngjarje e tillë duhet bërë dhe një analizë pse ndodhi! A është vërtetë sistemi i drejtësisë problemi? Astrit Kalanë e vrau vetë shteti. Ai luajti dorën, por e vrau shteti!”, tha ai.
Por kjo situatë sipas tij ka një shkaktar, pasi edhe njerëzit e drejtësisë ndihen nën presionin e pushtetit.
“Njerëzit e drejtësisë, gjyqtarët, janë trembur nga deklaratat e kryeministrit Rama. Ata janë të detyruar të japin vendime në favor të pushtetit, por kjo rëndon tek qytetarët. Reforma ka rrënuar sistemin e drejtësisë. Kemi një kryeministër që kontrollon të gjitha institucionet”, nënvizoi ish-deputeti në komentin e tij për situatën.
Më tej Dogjani u shpreh se sistemi shtetëror kishte dështuar, teksa shprehu ngushëllimet për familjen e gjyqtarit, me të cilin u shpreh kishte edhe njohje personale gjatë kohës kur punonte si kryepolic.
“Dua të shpreh ngushëllimet e mia për familjarët e gjyqtarit Astrit Kalaja. E kam njohur dhe punuar. Ku kam qenë drejtor i Policisë së Shkodrës. Ai ka qenë gjyqtar në Apelin e Shkodrës, një njeri që dha gjithmonë drejtësi”, përfundoi Dogjani.
Burimi: botasot.info


