Kombëtarja shqiptare është në prag të një prej përballjeve më të rëndësishme të viteve të fundit, teksa synon të bëjë hapin vendimtar drejt një ëndrre të madhe në përballjen “play-off” ndaj Polonisë.
Në konferencën për shtyp, kapiteni Berat Gjimshiti u shfaq i qartë dhe realist, duke theksuar se skuadra është e përgatitur për një sfidë të nivelit të lartë.
“Zhvillimi i Kombëtares ka qenë i mirë dhe eksperienca gjithashtu.
Kundërshtari ka nivel të lartë, por ne do të provojmë gjithçka për të realizuar ëndrrën,” deklaroi Gjimshiti.
Duke folur për kundërshtarin dhe rrezikun kryesor në sulm, Robert Lewandowski, kapiteni theksoi se ndeshja nuk do të jetë një duel individual, por një betejë kolektive.
“Nuk do të jem vetëm për ta ndalur Lewandowski. E gjithë skuadra duhet të jetë në nivel të lartë, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm,” u shpreh ai.
Sa i përket objektivave personale dhe atyre të ekipit, Gjimshiti nuk hezitoi të pranojë se një kualifikim në një Botëror do të ishte kulmi i karrierës së tij me fanellën kuqezi.
“Si kapiten, një Botëror me Shqipërinë do të ishte diçka shumë e madhe.
Por tani mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës,” tha ai.
Në fund, mbrojtësi i Atalantës dha një mesazh të qartë për mënyrën se si duhet të përballet kjo sfidë:
“Kur futesh në fushë, shanset janë 50-50. Ne futemi vetëm për fitore. Kemi marrë shumë eksperiencë dhe kjo do të na ndihmojë.
Për taktikën vendos trajneri, por ne duhet të jemi perfektë për të fituar ndaj Polonisë”.
Burimi: botasot.info

