Deputeti i Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj, ka dënuar ashpër gjuhën e përdorur nga kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi, gjatë seancës në Kuvend, ku socialisti i tha asaj “për ty kam numrin 0900”, numër i cili kohë më parë përdorej për komunikime erotike.
Në një deklaratë, Gjekmarkaj thekson se shprehje të tilla vulgare që synojnë të poshtërojnë një grua dhe një përfaqësuese të zgjedhur të qytetarëve janë të papranueshme dhe përbëjnë një akt që turpëron institucionin e Kuvendit.
Gjekmarkaj thekson se kur një drejtues i një grupi parlamentar përdor një gjuhë të tillë, ai nuk fyen vetëm një deputete, por ofendon çdo grua shqiptare dhe cenon dinjitetin e institucionit që përfaqëson.
“Sjellje të tilla tregojnë arrogancë, mungesë respekti dhe një kulturë politike që ka zëvendësuar argumentin me fyerjen. Parlamenti nuk mund të kthehet në një hapësirë ku gjuha e rrugës përdoret për të intimiduar dhe poshtëruar kundërshtarët politikë”, shkruan ai.
Deputeti demokrat kërkon gjithashtu reagim nga kryetari i Kuvendit për të mos toleruar, sipas tij, degradimin e etikës parlamentare.
Reagimi i plotë:
DEKLARATË PËR DËNIMIN ME ASHPËRSINË MË TË MADHE TË AKTIT TË DENIGRIMIT TË NJË GRUAJE DEPUTETE
Dënoj me indinjatë të thellë gjuhën e ulët dhe fyese të përdorur sot nga Taulant Balla ndaj deputetes Albana Vokshi në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.
Shprehje të tilla vulgare dhe denigruese, që synojnë të poshtërojnë një grua dhe një përfaqësuese të zgjedhur të qytetarëve, janë një akt i papranueshëm që turpëron institucionin e Parlamentit dhe degradon rëndë etikën e debatit politik në vend. Kur një drejtues i një grupi parlamentar përdor një gjuhë të tillë, ai nuk fyen vetëm një deputete, por ofendon çdo grua shqiptare dhe vetë dinjitetin e institucionit që përfaqëson.
Sjellje të tilla tregojnë arrogancë, mungesë respekti dhe një kulturë politike që ka zëvendësuar argumentin me fyerjen. Parlamenti nuk mund të kthehet në një hapësirë ku gjuha e rrugës përdoret për të intimiduar dhe poshtëruar kundërshtarët politikë.
Kërkoj publikisht nga drejtuesi i Kuvendit të Shqipërisë që të reagojë dhe të mos tolerojë këtë degradim të papranueshëm të etikës parlamentare.
Politika shqiptare ka nevojë për debat, argument dhe respekt – jo për fyerje, vulgaritet dhe dhunë verbale. Heshtja përballë një gjuhe të tillë do të ishte bashkëfajësi. Sot është detyrë e çdo përfaqësuesi publik të ngrejë zërin kundër këtij degradimi të papranueshëm të jetës parlamentare.
Burimi: botasot.info


