Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se gjashtë gurthyes kanë operuar në mënyrë të kundërligjshme, pavarësisht vendimeve për ndalimin e punimeve. Sipas saj, të gjithë janë ndëshkuar sipas ligjit.
Pacolli ka thënë se përmes dronëve dhe pajisjeve digjitale po monitorohet vazhdimisht aktiviteti i gurthyesve në të gjithë vendin.
“Krahas monitorimit nga ajri, inspektorati mjedisor është çdo ditë në terren për të verifikuar respektimin e vendimeve për ndalimin e punimeve”, ka shkruar Pacolli.
Ajo ka bërë të ditur se vetëm gjatë këtyre ditëve, gjashtë gurthyes kanë operuar në mënyrë të kundërligjshme, pavarësisht vendimeve për ndalimin e punimeve.
“Të gjithë janë ndëshkuar sipas ligjit dhe në lokacionet e tyre janë vendosur shenjat zyrtare për ndalimin e punimeve”, ka thënë ajo.
Sipas Pacollit, kontrollet në terren vazhdojnë me qëllim të mbrojtjes së tokës, ujit dhe natyrës së bukur të Kosovës.
Burimi: botasot.info


