Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka pritur sot studentet e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, në kuadër të një bashkëbisedimi të hapur dhe frymëzues, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në jetën institucionale dhe publike të vendit.
Në një njoftim publik, Gashi vlerësoi rolin e Kuvendit si një platformë dialogu, duke theksuar se institucioni ligjvënës po hapet gjithnjë e më shumë ndaj rinisë akademike.
“Kuvendi po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një hapësirë dialogu me rininë intelektuale”, u shpreh ai.
Ai bëri të ditur se takimi me studentet e Universitetit “Nënë Tereza” ishte një diskutim i hapur mbi çështje me interes për të ardhmen e vendit.
“Në këtë frymë, pata kënaqësinë të pres studentet e Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup, në një bashkëbisedim të hapur dhe frymëzues”, thuhet në njoftim.
Sipas Gashit, studentët dëshmuan pjekuri dhe përkushtim të lartë, duke përforcuar besimin tek brezi i ri.
“Me mendime të pjekura, kuriozitet intelektual dhe përkushtim për të ardhmen, ata konfirmuan se investimi dhe angazhimi për rininë ia vlen”, theksoi ai.
Në përmbyllje, kryeparlamentari shprehu bindjen se e ardhmja e vendit është e sigurt në duart e të rinjve.
“Kjo më forcon besimin se e ardhmja e vendit, me ta, është e ndritur”, përfundoi Gashi.
Burimi: alfax.mk


