Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka zhvilluar një takim me aktorin e njohur Bajrush Mjaku, me rastin e 53-vjetorit të karrierës së tij artistike.
Gjatë takimit, Gashi e ka përgëzuar Mjakun për karrierën e gjatë në skenë, duke vlerësuar përkushtimin dhe kontributin e tij në art dhe kulturë.
Në njoftimin e tij, Gashi thekson se bashkëbisedimi u përqendrua te rëndësia e artit dhe kulturës në formësimin e shoqërisë dhe edukimin kulturor të brezave të rinj.
“Pata kënaqësinë të takoj artistin e mirënjohur Bajrush Mjakun, që për më shumë se pesë dekada ka qenë pjesë e pandashme e skenës sonë”, ka shkruar Gashi.
Ai shtoi se takimi ishte një mundësi për të diskutuar mbi rolin që kanë artistët në ruajtjen e kujtesës kulturore dhe në përcjelljen e përvojës te brezat e rinj.
Gashi e cilësoi Mjakun si një artist që gjatë karrierës së tij ka arritur ta shndërrojë përvojën në krijimtari artistike dhe atë në një pjesë të kujtesës kulturore.
Burimi: alfax.mk


