Zëdhënësi i KF Egnatia, Xhevdet Zeka, foli për momentin e kampionatit dhe për ndeshjen ndaj FK Partizani Tirana, duke ndalur te gara për titull, arbitrat dhe situata e merkatos.
Sipas tij, diferencat në renditje janë ngushtuar dhe kampionati ka hyrë në fazën më delikate.
“Janë ulur diferencat dhe gara ka filluar tani. Çdo javë do të jetë luftë me rezultate të paparashikueshme. Kush është i sigurt që shkon në Vlorë, në Durrës apo në Bylis dhe fiton? Nuk ka ndeshje të lehtë.”- tha ai.
Zeka vlerësoi momentin e mirë të Egnatias, duke shtuar se skuadra ka qenë superiore në shumicën e ndeshjeve, me zotërim topi dhe raste të krijuara. Ai e cilësoi përballjen me Partizanin si një ndeshje të bukur, pavarësisht rezultatit që nuk kënaqi rrogozhinasit.
Në analizën e tij, ai ndaloi edhe te caktimi i arbitrit për këtë sfidë, duke ngritur një çështje parimore për perceptimin që krijohet në raste të tilla.
“Bylbyl Bashi bëri një gjykim perfekt dhe nuk na dëmtoi fare. Por nuk më duket normale që kur luan Partizani me Egnatian të vihet arbitër nga Elbasani. Perceptimi te lojtarët krijon presion të panevojshëm.”- shtoi Zeka.
Në fund, Zeka sqaroi edhe situatën e Xhemajlit, duke konfirmuar se lojtari vijon të jetë pjesë e grupit dhe çdo vendim për të ardhmen i takon klubit dhe presidentit.
Sipas tij, Egnatia mbetet brenda objektivave dhe gara për titull është e hapur.
Burimi: botasot.info


