Fondacioni Ethereum ka shitur dhjetë mijë ether (ETH), me vlerë 25.7 milionë dollarë, kompanisë SharpLink Gaming përmes një marrëveshjeje jashtë tregut (OTC), duke shënuar herën e parë që një kompani e listuar publikisht ka blerë drejtpërdrejt tokenin nga kujdestari kryesor i protokollit.
Sipas CoinDesk, transaksioni u ekzekutua me një çmim mesatar prej 2,572.37 dollarësh për ETH dhe u finalizua në zinxhir përmes portofolit multisig të fondacionit më 10 korrik. Të ardhurat nga shitja do të përdoren për të mbështetur aktivitetet thelbësore të Fondacionit Ethereum. Marrëveshja ishte përfunduar më herët gjatë javës me të njëjtin çmim mesatar.
SharpLink, e cila tregtohet në bursën Nasdaq nën simbolin SBET, e përshkroi blerjen jo si një tregti, por si një “angazhim ndaj misionit afatgjatë të Ethereum”. Kompania po e pozicionon ETH-in si aset kryesor rezervë në thesarin e saj dhe ka bërë të ditur se do ta vendosë në staking dhe restaking, duke e hequr kështu nga qarkullimi.
“Kjo nuk është një tregti — është një angazhim”, tha Joseph Lubin, Kryetar i SharpLink dhe bashkëthemelues i Ethereum, në një deklaratë. “SharpLink po blen, po vendos në staking dhe restaking ETH si kujdestarë të përgjegjshëm të industrisë, duke e hequr furnizimin nga qarkullimi dhe duke forcuar shëndetin e ekosistemit të Ethereum”.
“Aq më tepër, ne e shohim këtë si fillimin e diçkaje më të madhe – një model se si organizatat me mision të qartë mund të kontribuojnë për të avancuar objektivat e përbashkëta të ekosistemit tonë për decentralizim, fuqizim ekonomik dhe financa të ndërlidhura me vetë protokollin”, shtoi Lubin.
Kjo lëvizje vjen në një kohë kur prurjet në ETF-të e ETH po rriten, thesaret në ETH po rikthehen, dhe koncepti i “financave të protokollit” po fiton sërish vëmendje.
ETH po tregtohej mbi 3,000 dollarë të premten në mëngjes sipas kohës së SHBA-së, me një rritje mbi 8 për qind në 24 orët e fundit.
Publikimi i këtij artikulli u mundësua nga interneti 5G nga thirr.com me pakon eSIM Kosovo (https://thirr.com/language/de/destination/xk) thirr.com
Burimi: botasot.info


