Real Madridi siguroi fitoren ndaj Alavesit të dielën në mbrëmje dhe, me këtë, me shumë gjasa i dha Xabi Alonsos të paktën një javë tjetër në detyrë.
Megjithatë, fitorja nuk erdhi pa polemika, me “Los Blancos” të zemëruar për vendimin për të mos akorduar penallti për një ndërhyrje ndaj Vinicius Junior në minutat e fundit.
Braziliani u pa duke bërtitur se “arsyeja e vetme që nuk e dha ishte sepse jam unë”, ndërsa Xabi Alonso tha se “nuk mund të kuptonte” që VAR nuk ndërhyri në incident.
Të hënën, gjatë fjalimit të tij të Krishtlindjeve, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, drejtoi gishtin nga çështja “Negreira”, ku Barcelona akuzohet për korrupsion, edhe pse nuk është shpallur fajtore.
“Krishtlindjet janë kohë reflektimi për çështjet që na preokupojnë. Në rastin tonë, shqetësimi më i madh është gjendja e arbitrazhit në Spanjë. Është një problem që ka kaluar kufijtë tanë dhe ka dëmtuar besueshmërinë dhe reputacionin e kompeticionit tonë. Siç e dini, situata jashtëzakonisht serioze pas çështjes ‘Negreira’ gjatë pothuajse dy dekadave meriton drejtësi. Ju kujtoj se Real Madrid është i vetmi klub që po lufton për këtë,” citoi “Cadena SER”.
Perez vazhdoi me një sulm të gjatë mbi çështjen, duke e quajtur atë skandali më i madh në historinë e futbollit.
“Është krejtësisht e papranueshme që institucionet e futbollit kanë braktisur Real Madridin në këtë luftë. Si është e mundur që në çështjen penale jemi të vetëm që luftojmë për drejtësi? Si është e mundur që presidenti i arbitrit na kërkon të harrojmë? Si mund të harrojmë skandalin më të madh në historinë e futbollit? Kurrë nuk do ta harrojmë. Si mund të veprojnë RFEF dhe LaLiga, të cilët supozohet të mbrojnë integritetin, në këtë mënyrë? Çfarë shpjegon mosveprimi i tyre? Besoj se një ditë do ta kuptojmë. Ata kanë detyrë të mbrojnë integritetin e kompeticionit dhe jo të duken të përfshirë në një çështje kaq serioze”, tha më tutje ai.
“Pa dyshim, çështja ‘Negreira’ është problemi më serioz që përballet futbolli sot, madje edhe ndërkombëtarisht. Siç është publikuar në ditët e fundit, tani e dimë që janë paguar më shumë se 8 milionë euro për raporte teknike mbi arbitrat – raportet më të shtrenjta në botë – dhe trajnerët, që ishin përfituesit e këtyre raporteve, madje nuk i kanë marrë fare. Kush mund ta besojë se miliona euro janë paguar për raporte që duket se kanë qenë të pavlefshme? Sepse trajnerët nuk i morën, nuk ishin as të vetëdijshëm për ekzistencën e tyre”, vazhdoi ai.
Arbitri përgjegjës për VAR-in gjatë ndeshjes së Real Madridit ndaj Alavesit ishte Pablo Gonzalez, i cili gjithashtu ishte përgjegjës për VAR-in gjatë finales së Kupës së Mbretit.
Para asaj finale, ai deklaroi se arbitrat nuk do të lejonin të shqetësoheshin dhe se do të ndërmerrnin veprime, çka u interpretua si kërcënim nga “Los Blancos”.
“Sot vazhdojmë të përballemi me pasojat e një çështjeje që njollos sportin tonë (…) Vetëm dje, u arbitruam nga një arbitër VAR që kërcënoi të merrte masa kundër klubit tonë një ditë para finales së Kupës. A mund ta imagjinoni këtë situatë në ndonjë vend tjetër? Siç pamë dje, ose në Girona, duket se ndërhyrjet ndaj Vinicius ose Rodrygo nuk janë penallti. Këto janë risitë e arbitrazhit këtë sezon”, u shpeh Perez.
“Jemi të sigurt se nuk jemi të vetëm që jemi dëmtuar. Për më tepër, është e mundur që disa klube të jenë rënë nga kategoria si rezultat i çështjes ‘Negreira’. Integriteti dhe decencia e sportit tonë janë në rrezik. Imazhi i futbollit tonë është dëmtuar rëndë dhe prandaj drejtësia duhet të vihet në vend, sepse vetëm kështu mund të rigjenerohet futbolli spanjoll”, vazhdoi presidenti i Realit.
“Mos harroni se gjyqtari hetues i çështjes e përshkroi atë si korrupsion sistemik dhe se në intervista disa drejtues kanë pranuar se këto pagesa ishin të dobishme për klubet e tyre. Të dobishme përse? Sigurisht, trajnerët e tyre kanë deklaruar se nuk e dinin dhe nuk kishin nevojë për këto raporte”, përfundoi ai.
Trajnerët që përmendi Perez janë Ernesto Valverde dhe Luis Enrique, të cilët dhanë dëshmi në çështjen “Negreira” të premten.
Të dy konfirmuan se nuk kishin parë raportet e konsulencës që Barcelona supozohet se i kishte paguar Jose Maria Enriquez Negreiras, ish-nënpresidentit të CTA.
Megjithatë, të dy konfirmuan se sipas tyre, nuk kishin ndjerë përfitime nga arbitrat gjatë kohës së tyre te Barcelona.
Kjo është hera e dytë brenda një periudhe të shkurtër që Perez sulmon këtë çështje, pas përdorimit të platformës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të Real Madridit për të folur për të.
Burimi: botasot.info


