Prodhimi i Ford Focusit legjendar do të mbyllet më herët se sa ishte planifikuar. Modeli që ka përfaqësuar për dekada shtyllën e ofertës së Fordit në Evropë po largohet, duke lënë pas një pyetje – a ka qenë kjo gabimi më i madh strategjik i prodhuesit amerikan?
Për fatin befasues të Focusit, shumë e fajësojnë Martin Sanderin, i cili e ka orientuar tërësisht strategjinë e Fordit drejt veturave elektrike.
Paradoksalisht, në të njëjtën kohë, Kuga shpëtoi nga ndërprerja e prodhimit, edhe pse modeli i ri Explorer tashmë ishte planifikuar si pasues i saj. Arsyeja? Kuga në atë kohë shitej në disa mijëra njësi më shumë se Focusi, i cili për shumë vite nuk kishte marrë investime, pasi Ford kishte besuar se blerësit do të pranonin alternativat elektrike.
Vetëm dy muaj më parë, Ford pranoi gabimin dhe njoftoi ndryshimin e strategjisë, por për Focus ishte shumë vonë. Ndërkohë, konkurrenca po rinovon modelet e saj kompakte – Golf po merr një brez të ri, ndërsa Leon po merr një përditësim të rëndësishëm – ndërkohë që Ford e ndalon prodhimin e modelit pas katër brezash të suksesshëm.
Në vend të datës së planifikuar për mbylljen e prodhimit më 30 nëntor, Focus ST tashmë ka dalë nga linjat e prodhimit, duke u krenuar për statusin e tij si një nga makinat më të mira kompakte sportive. Versioni standard me pesë dyer do të ndalojë prodhimin më 21 nëntor 2025 – datë kur fabrika në Saarlouis do të ndalojë përfundimisht prodhimin.
Fabrika në Saarlouis, e hapur në vitin 1966, ka qenë një vend ekskluziv për prodhimin e Focusit që nga viti 1998 dhe nga aty kanë dalë më shumë se gjashtë milionë automobila. Fordi kurrë nuk ka arritur ta shesë këtë fabrikë, pavarësisht përpjekjeve. Përveç Focusit, në Saarlouis janë prodhuar edhe Fiesta, Escort, Orion, C-Max dhe brezi i parë i Kuga-s.
Ford ka konfirmuar se një crossover i ri kompakt do të prodhohet në fabrikën Almussafes në Valencia, por ky model do të jetë në treg vetëm në vitin 2027. Dimensionet do të jenë të ngjashme me ato të Focusit, por emri ende nuk është bërë i ditur. Fillimisht u shqyrtua rivitalizimi i emrit EcoSport, por planet janë ndryshuar.
Derisa të arrijë ky model, Ford do të mbetet me Kuga-n dhe Puma-n si shtyllat kryesore të ofertës së tij evropiane, duke luftuar në një betejë gjithnjë e më të ashpër konkurruese me një gamë më të dobët modelesh se kurrë më parë. Ndoshta një version SUV i Focusit mund ta shpëtojë reputacionin e markës, dhe emri mund të vazhdojë të ekzistojë.
Burimi: botasot.info


