Kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, e ka pranuar se ndjen keqardhje për mënyrën se si ka rrjedhur aventura e tij te “Djajtë e Kuq”, duke theksuar se kishte pritshmëri shumë më të mëdha sa i përket fitimit të trofeve.
Pas intervistës së bujshme për “Canal 11”, mesfushori portugez ka folur sërish këtë javë, kësaj radhe në podcastin e ish-mbrojtësit të United, Rio Ferdinand, ku ka qenë i hapur për ndjenjat e tij.
“Natyrisht, mendoj se koha ime te klubi nuk ka qenë ashtu siç e kam dashur, sepse unë gjithmonë kam dashur të fitoj trofe dhe nuk kam fituar aq sa duhet apo sa kam mundur,” tha Fernandes.
Megjithatë, ai theksoi përkushtimin e tij ndaj klubit, edhe në momentet më të vështira.
“Njëkohësisht, besoj se gjithçka që kam bërë për klubin ka qenë shumë e rëndësishme. Pa ia hequr meritat askujt tjetër, unë kam qëndruar pranë klubit pikërisht në periudhat kur kemi pasur më shumë vështirësi. Shpresoj që të gjithë në klub ta dinë këtë”, theksoi ai.
Fernandes pranoi gjithashtu se kishte mundësi të tjera në karrierë, të cilat mund t’i kishin sjellë më shumë suksese.
“Jam shumë i vetëdijshëm që mund të kisha ndjekur një rrugë tjetër, të kisha fituar më shumë trofe dhe ndoshta sot njerëzit do të flisnin ndryshe për mua”, pohoi Fernandes.
Sipas tij, perceptimi për lojtarët ka ndryshuar shumë në futbollin modern.
“Sot njerëzit të gjykojnë si lojtar më të mirë ose më të dobët në varësi të trofeve që fiton. Në të kaluarën nuk ishte kështu. Mjafton të shikosh Francesco Tottin – ai konsiderohet një nga lojtarët më të mëdhenj në Itali, edhe pse nuk ka fituar shumë trofe”, përfundoi portugezi.
Deklaratat e Fernandes pritet të nxisin debat mes tifozëve të Manchester United, në një periudhë ku klubi vazhdon të kërkojë rikthimin te lavdia e dikurshme.
Burimi: botasot.info


