fentanil shitet ne treg te zi ne shqiperi ka emer tjeter mjekja toksikologe ngre alarmin 694911545f025

“Fentanil shitet në treg të zi, në Shqipëri ka emër tjetër”, mjekja toksikologe ngre alarmin

December 22, 2025
min lexim

Mjekja toksikologe Suela Xhufi, e ftuar në emisionin “Dita jonë” në A2 CNN, ka ngritur alarmin për rrezikun e fentanilit dhe mundësinë që ky opioid shumë i fuqishëm të qarkullojë edhe në Shqipëri përmes tregut të zi, i maskuar me emra të tjerë.

Ajo tha se rreziku kryesor qëndron te mungesa e dijenisë së përdoruesve për atë që realisht po konsumojnë.

“Në Amerikë, në vitet ’90, nëse nuk gaboj, u vendos që fentanili të përdorej edhe postkirurgjikisht te pacientët që kishin kryer një ndërhyrje kirurgjikale, për lehtësimin e dhimbjeve. Kjo ishte arsyeja pse nisi një nivel epidemik i përdorimit të fentanilit te pacientët që dilnin pas këtyre lloj ndërhyrjeve. Në Shqipëri, kjo lloj terapie nuk është bërë kurrë. Në vendin tonë përdoret tramadoli ose preparate të tjera, por jo morfina në rastet postoperatore. Pikërisht kjo ishte arsyeja pse në Amerikë filloi përdorimi i fentanilit në mënyrë shumë të frikshme, sepse ka një afinitet shumë të lartë për të krijuar varësi te pacientët. Kërkon një dozë shumë të vogël për të çuar në vdekjen e pacientit. Doza letale është rreth 2 mg, ndërkohë që dozat terapeutike maten në mikrogramë”, tha Xhufi.

Xhufi thekson se rënia e prodhimit të opiumit në Afganistan ka nxitur shtimin e prodhimit të opioideve sintetike si fentanili, carfentanili apo nitazenët, substanca edhe më të fuqishme dhe shumë të rrezikshme, të papranuara nga FDA. Ajo paralajmëron se në tregun ilegal, fentanili mund të shitet i maskuar si barna të tjera, si benzodiazepina apo analgjezikë, duke rrezikuar jetën e personave që nuk janë përdorues opiatesh.

“Më 15 dhjetor, Trump vendosi që fentanili të kalojë nga niveli i dytë në nivelin e parë, pra të mos përdoret më në përshkrime për pacientët, për shkak të efekteve negative dhe varësisë së shpejtë që shkakton. Kjo është arsyeja pse unë shoh një risk edhe për tregun shqiptar. Rreziku qëndron në faktin se fentanili mund të përdoret me një emër tjetër dhe të futet si benzodiazepinë, siç mund të jetë lorazepami apo oksikodoni, gjithmonë duke folur për tregun ilegal. Pacienti që i merr këto substanca nuk e ka idenë se po përdor një terapi vdekjeprurëse, sidomos në rastet kur nuk është përdorues opiatesh. Fentanili nuk mund të merret pa recetë. Unë, si mjeke, nuk mund ta jap. Në Shqipëri, me ligj, fentanilin e përshkruajnë vetëm onkologu dhe anestezisti-reanimator. Ai jepet vetëm në formë paçesh ose spraje nazale. Çdo formë tjetër është treg i zi. Nuk ka asnjë mundësi që të merret në formë tablete”, tha ajo.

Sipas mjekes, rastet e konstatuara në Shqipëri janë sporadike dhe kryesisht të lidhura me persona që kanë ardhur nga jashtë, por rreziku mbetet real dhe kërkon vigjilencë maksimale. “Pavarësisht se në tregun e zi është relativisht i lehtë për t’u aksesuar, ne nuk kemi përdorim masiv. Personalisht kam pasur vetëm katër raste përdoruesish të fentanilit. Nuk janë përdorues të zakonshëm, si në rastin e kokainës, por raste sporadike. Të gjitha këto raste kanë ardhur nga Amerika ose nga vende të tjera, pra nuk janë banues në Shqipëri”.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

sot pritet zgjedhja e u d se kryeprokurorit 69490f4f50d37
Lajmi i mëparshëm

Sot pritet zgjedhja e u.d. së kryeprokurorit

panik ne veneto hidhen kapsolla mbi skuadren e ish ciklistit te njohur italian 694911b3ec333
Lajmi i radhës

Panik në Veneto, hidhen kapsolla mbi skuadrën e ish çiklistit të njohur italian…

Të fundit nga

Kalojini festat e fundvitit me paqe në zemër!

Festat e fundvitit vijnë me një magji të veçantë. Dritat që vallëzojnë në rrugë, aromat e gatimeve që mbushin shtëpitë, zërat e qeshur të fëmijëve që gërvishtin lehtësisht kohën e qetë –

Ngjarjet për ditën e sotme

Mbahet seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj të pandehurve Lubomir Çimburoviq, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë. (Gjykata Themelore Prishtinë, Objekti
ShkoLartë