fafaronat sivjet me cilesi me te mire dhe me cmim me te larte 68d1212e7d482

Fafaronat sivjet me cilësi më të mirë dhe me çmim më të lartë

September 22, 2025
min lexim

Specat fafaronë këtë vit po japin rendiment më të lartë dhe cilësi më të mirë se vitet e kaluara. Përkundër sfidave të shkaktuara nga ndryshimet e temperaturave dhe mungesa e reshjeve gjatë verës, fermerët vendorë shprehen të kënaqur si me prodhimin, ashtu edhe me çmimin e tregut.

Speci fafaron po dëshmohet si një kulturë e qëndrueshme, me kërkesë të lartë në tregun vendor dhe potencial të madh për eksport. Prodhuesit shprehen të kënaqur me cilësinë, rendimentin dhe çmimin, ndërsa përpunuesit dhe eksportuesit theksojnë se prodhimi vendor po e zvogëlon ndjeshëm nevojën për import dhe po krijon mundësi të reja për zhvillimin ekonomik të vendit.

Florim Statovci nga fshati Batllavë, Podujevë, pas pensionimit nga Forca e Sigurisë së Kosovës, ka vendosur të mbetet aktiv përmes punës në bujqësi. Ai i është përkushtuar kultivimit të specit fafaronë, dhe rezultatet këtë vit janë inkurajuese.

“Këtë vit rendimenti është edhe më i mirë se vitin e kaluar. Përkundër ndryshimeve klimatike dhe mungesës së reshjeve, sëmundjet nuk shkaktuan shumë dëme. Për fat të mirë, dëmi ishte minimal”, thotë Statovci.

Ai shpjegon se një nga avantazhet kryesore të kësaj kulture është nevoja më e ulët për ujitje, krahasuar me kultura të tjera bujqësore.

“Për mua është shumë më e lehtë të menaxhohet kjo kulturë. Përveç kësaj, nuk kam pasur probleme as me shitjen. Çmimi i këtij viti është më i lartë se ai i vitit të kaluar, ndaj jam i kënaqur”, shton ai.

Në pikën grumbulluese të Podujevës, ku Statovci po dorëzonte prodhimin e tij, kishte ardhur edhe Afrim Gashi nga fshati Dobërdol, i cili këtë vit ka mbjellë 40 ari me speca fafaronë.

“Kultivimin e kësaj kulture e kam filluar për herë të parë vitin e kaluar. Përkundër temperaturave të larta që mbretëruan këtë verë, rendimenti është i mirë. Falë menaxhimit të kujdesshëm nuk kam pasur probleme me sëmundje”, tregon Gashi.

Ai pret që nga sipërfaqja e mbjellë të vjelë rreth 20 tonë prodhim.

“Jam i kënaqur jo vetëm me rendimentin, por edhe me çmimin që po e arrij në treg. Krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit është shumë më i favorshëm për ne fermerët”, shprehet ai.

Në fshatin Ballovc të Podujevës, prej katër vitesh funksionon një pikë grumbulluese dhe përpunuese e specit fafaronë. Pronar i saj është Afrim Fazliu, i cili për shumë vite ka jetuar në Evropë dhe pas kthimit në vendlindje ka investuar në këtë veprimtari.

“Këtë vit cilësia dhe sasia e prodhimit janë shumë të mira. Kapacitetet e fabrikës sonë janë të larta dhe mund të përpunojmë sasi të konsiderueshme. Për dallim nga katër vite më parë, importi i specit fafaron ka rënë ndjeshëm falë rritjes së prodhimit vendor”, pohon Fazliu.

Ai tregon se shumicën e prodhimit të konzervuar e shet në tregun vendas, por një pjesë shkon edhe për eksport në vendet evropiane.

“Krahas fafaronit dhe trangullit, këtë vit kemi filluar të përpunojmë edhe specin somborkë. Në fabrikë kemi të angazhuar 23 punëtorë të rregullt dhe një numër të konsiderueshëm sezonalësh”, shpjegon ai.

Pikën e Fazliut së fundmi e kanë vizituar edhe përfaqësues të një kompanie kosovare që merret me eksport të produkteve bujqësore në Evropë. Mendim Mujaj, koordinator i kompanisë, thotë se produktet vendore po vlerësohen gjithnjë e më shumë jashtë vendit.

“Produktet tona kanë cilësi të lartë dhe tashmë nuk janë të kërkuara vetëm nga mërgata shqiptare, por edhe nga konsumatorët evropianë. Kjo është dëshmi se ka ende hapësirë për eksport dhe tregjet evropiane po kërkojnë gjithnjë e më shumë produkte të tilla”, shprehet Mujaj.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

anglia njeh palestines shba mburrje e kote 68d120592e88b
Lajmi i mëparshëm

Anglia njeh Palestinës, SHBA: Mburrje e kotë

supermodelja sjell ne jete beben nr 3 zbulon gjinine dhe emrin 68d122628dc6b
Lajmi i radhës

Supermodelja sjell në jetë beben nr.3, zbulon gjininë dhe emrin

Të fundit nga

ShkoLartë