Prej datës 23 korrik, në Madrid ka nisur Kampionati Europian i Peshëngritjes për moshat U-15 dhe U-17, kompeticion që do të vijojë deri më datë 30 korrik.
Në këtë aktivitet të rëndësishëm për moshat, merr pjesë edhe Shqipëria, me ekipin kuqezi që përbëhet nga tre sportistë. Enkileda Carja, Maida Lozi dhe Antonino Mullisi do të konkurrojnë në kategorinë U-17.
E para që do të ngjitet në pedanë, do të jetë Carja, e cila vjen në këtë kompeticion pas një serie me rezultate dhe rekorde të jashtëzakonshme ndërkombëtare në rang moshash. Vajza e talentuar nga Elbasani do të konkurrojë në kategorinë e peshave 63 kg, me garën e saj më 27 korrik në orën 12:00.
Enkileda vjen me pritshmëri shumë të larta dhe mbetet favorite e padiskutueshme për medalje.
Më datë 27 korrik, në orën 17:00, do të konkurrojë një tjetër shtangist i talentuar kuqezi, Antonino Mullisi, në peshat 71 kg.
Ndërsa garat e Kombëtares shqiptare në kryeqytetin spanjoll do t’i mbyllë një tjetër element shumë premtues, Maida Lozi, e cila do të ngjitet në pedanë më 29 korrik në orën 17:00 në kategorinë 77 kg.
Burimi: botasot.info


