Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka miratuar raportin e komisionit zgjedhor, sipas të cilit Elza Bajrami Kastrati ka rezultuar fituese e garës për anëtare e KPK-së në radhët e gjykatave themelore.
Miratimi i raportit u bë me pesë vota pro, gjatë takimit të 287-të të KPK-së, njofton Flamur Kabashi.
Po ashtu, KPK certifikoi rezultatin e zgjedhjeve dhe dërgoi ftesë zyrtare për Elza Bajrami-Kastrati për ceremoninë e betimit në orën 13:00.
Më 3 mars, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka anuluar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) të 1 dhjetorit 2025, duke e detyruar ta aprovojë raportin për procesin zgjedhor, në të cilin Elza Bajrami-Kastrati u zgjodh anëtare e Këshillit.
Në seancën e 18 shkurtit 2026, palët kishin paraqitur pretendimet e tyre. Më pas, Gjykata ka bërë administrimin e provave. Pas këtyre dhe analizimit të shkresave të lëndës, konstatoi se kërkesëpadia e paditëses është e bazuar.
Fillimisht, më 1 nëntor 2025 ishte zhvilluar Konferenca Vjetore e Prokurorit të Shtetit, nga e cila Bajrami-Kastrati kishte fituar votat e nevojshme për të fituar ulësen e anëtares së KPK-së. Mirëpo, ky i fundit kishte vendosur më 1 dhjetor të refuzojë certifikimin e rezultateve, me arsyetimin se procesi nuk është zhvilluar konform standardeve.
Andaj, Bajrami-Kastrati kishte ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 17 dhjetor 2025, kundër të paditurit/kundërpropozuesit- Këshilli Prokurorial, duke kërkuar anulimin e vendimit të KPK-së, të 1 dhjetorit 2025. Bashkë me padi, paditësja ka parashtruar edhe kërkesë që të caktohet masa e sigurisë, ashtu që t’i ndalohet KPK-së të ndërmarrë çfarëdo veprimi lidhur me objektin e kërkesëpadisë së paditëses nga pranimi i këtij aktvendimi deri në një vendim tjetër gjyqësor.
Ndryshe, më 26 dhjetor 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte pezulluar ekzekutimin e vendimit të KPK-së, me të cilin ishte refuzuar certifikimi i rezultatit për zgjedhjen e Elza Bajrami-Kastratit anëtare. Ndërsa, më 26 janar 2026, ky vendim ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.
Përmes padisë së ushtruar nga paditësja Elza Bajrami-Kastrati më 17 dhjetor 2025, është kërkuar që të anulohet vendimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës KPK/Nr.1082/2025, me arsyetimin se ishte vepruar në kundërshtim me nenin 10A, par.15 të Ligjit për Këshillin Prokurorial, i cili përcakton se “Pas shqyrtimit të ankesave, këshilli brenda 7 ditëve shpall dhe certifikon rezultatet përfundimtare të procesit zgjedhor”.
Burimi: botasot.info


